Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga Ambasadori i ri i Bangladeshit, z. Muhammad Zulqar Nain

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

11 nentor 2025

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale të Ambasadorit të ri jorezident të Republikës Popullore të Bangladeshit në Republikën e Kosovës, z. Muhammad Zulqar Nain.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani e përshëndeti Ambasadorin Nain dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Bangladeshi ka ofruar për Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ajo theksoi rëndësinë e marrëdhënieve bilaterale dhe përmendi takimin e saj të fundit me Kryeministrin e Bangladeshit, Muhammad Yunus, gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Kombeve të Bashkuara në New York, ku u riafirmua angazhimi i përbashkët për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në frymën e miqësisë, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë.

Nga ana e tij, Ambasadori Nain shprehu vullnetin e Bangladeshit për të thelluar më tej marrëdhëniet diplomatike dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve. Ai përcolli urimet e përzemërta të udhëheqjes së Bangladeshit për popullin e Kosovës dhe shprehu besimin se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve do të zhvillohen edhe më tej në të ardhmen.

Ky takim përforcoi angazhimin e përbashkët për avancimin e bashkëpunimit dhe thellimin e miqësisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Popullore të Bangladeshit

Scroll to Top