Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
Gjatë pritjes zyrtare në Prishtinë me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, vlerësoi marrëdhëniet e ngushta dhe domethënëse mes dy vendeve. Ajo e përshkroi Kosovën si “vendin më pro-amerikan në botë” dhe tha se askund tjetër nuk kishte përjetuar një festim të 4 Korrikut si në Kosovë.
“Kjo është hera e parë që e festoj Ditën e Pavarësisë së SHBA-së në Kosovë. Kur arrita verën e kaluar si zëvendëseshefe e Misionit, nuk e kisha pritur se do të shërbeja si e Ngarkuar me Punë për këtë festë – dhe është një nder i madh të jem në këtë rol,” tha Prattipati.
Ajo theksoi se partneriteti midis SHBA-së dhe Kosovës nuk ka të bëjë vetëm me atë që SHBA-ja arrin për vete, por me mënyrën se si fuqia amerikane ndihmon për të fuqizuar aleatët dhe miqtë e saj. “Kosova është një shembull i qartë i një partneriteti që sjell rezultate,” tha ajo.
Duke folur për bashkëpunimin ushtarak, Prattipati përmendi pjesëmarrjen e Kosovës në ushtrimin “Defender 25”, stërvitja më e madhe e ushtrisë amerikane në Evropë, ku Forca e Sigurisë së Kosovës stërviti krah për krah me Ushtrinë Amerikane. “Kjo nuk është vetëm simbolikë. Është një dëshmi e fuqishme e partneritetit tonë në fushën e sigurisë. Së bashku jemi më të sigurt dhe më të fortë,” theksoi ajo.
Prattipati vlerësoi përkushtimin e Kosovës për të përmbushur prioritetet e përbashkëta të politikës së jashtme, duke përfshirë sigurinë kibernetike, luftën kundër antisemitizmit dhe përpjekjet për të parandaluar përhapjen e armëve bërthamore. Ajo gjithashtu theksoi mbështetjen e Kosovës në përpjekjet e SHBA-së për mbrojtjen e kufijve të saj.
“Jemi miq dhe partnerë në përpjekjet që jo vetëm vendet tona, por edhe rajoni, të jenë më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë,” shtoi ajo.
Në fushën ekonomike, Prattipati tha se ka një rritje të dukshme të bashkëpunimit tregtar midis dy vendeve. “Vetëm muajin e kaluar, disa biznese të reja amerikane hapën dyert këtu në Kosovë. Këto janë momente të rëndësishme për thellimin e marrëdhënieve tona ekonomike,” tha ajo.
Duke e përmbyllur fjalimin, ajo theksoi se ky partneritet është i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe ndihmon në ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për të dyja vendet. “Një Amerikë më e begatshme ndihmon për të ngritur edhe të tjerët – nga rritja e bashkëpunimit ekonomik e deri te siguria që ndihmon stabilitetin rajonal. Kosova është një shembull i qartë i një partneriteti që sjell rezultate,” theksoi ajo.
“E kuptojmë rrugëtimin e Kosovës. Historia juaj ngjan me tonën. Edhe ne kemi kaluar këtë rrugë dhe do të vazhdojmë ta ecim bashkë me ju,” përfundoi Prattipati.