Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
03 shkurt 2026
Policia e Kosovës ka zbuluar sërish armë, municion dhe mjete të tjera ilegale në Mitrovicën e Veriut, falë informacioneve të pranuara nga qytetarët.
Sipas njoftimit zyrtar, më 3 shkurt 2026, Policia ka marrë informacione se në bodrumin e një ndërtese kolektive në rrugën “Vasilije Ostroshki” dyshohej se ndodheshin mjete të paligjshme. Pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme në terren.
Gjatë kontrollit të bodrumit të përbashkët të ndërtesës, policia ka gjetur dhe sekuestruar tre armë të gjata, pjesë armësh, si dhe një sasi të madhe municioni dhe pajisjesh të tjera. Konkretisht, janë konfiskuar 764 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 14 karikatorë, 10 krehër për fishekë, një granatë dore tymuese, dy jelekë antiplumb ushtarakë, veshje ushtarake dhe materiale të tjera ndihmëse.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e procedurës penale për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Deri më tani, nuk raportohet për persona të arrestuar, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka bërë thirrje që çdo rast i dyshimtë apo veprim i kundërligjshëm të raportohet në numrin emergjent 192 ose në stacionin më të afërt policor, duke theksuar se siguria arrihet vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë.




















