Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
02 dhjetor 2025
Policia e Kosovës ka bërë një hap tjetër drejt forcimit të pranisë në terren dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve, duke shpërndarë automjete të reja për njësitë patrulluese.
Sipas policisë, ky investim synon të rrisë efikasitetin e punës së patrullave dhe të mundësojë një përgjigje më të shpejtë ndaj nevojave dhe kërkesave të qytetarëve. Pajisja e njësive me automjete të reja mbështet realizimin e objektivave të Planit Zhvillimor Strategjik dhe përforcon qasjen proaktive të policisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, kolonel Gazmend Hoxha, ka dorëzuar 41 automjete të reja për stacionet policore në të gjitha drejtoritë rajonale. Prej tyre, 35 janë limuzina, përfshirë modele hibride, dhe 6 janë xhipa për mbulimin e zonave patrulluese. Sipas njoftimit, ky hap dëshmon përkushtimin e Policisë së Kosovës për të rritur bashkëpunimin me qytetarët, reagimin e shpejtë ndaj nevojave të tyre, si dhe për të forcuar besueshmërinë dhe transparencën e institucionit.





















