Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
18 dhjetor 2025
Kosova rrezikon të humbasë miliona euro nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor për shkak të krizës institucionale dhe vonesave në miratimin e marrëveshjeve në Kuvend.
Nga fondi prej 6 miliardë eurosh për rajonin, Kosovës i janë premtuar rreth 900 milionë euro, përfshirë grante dhe kredi. Megjithatë, vendi ende nuk ka marrë as parafinancimin prej 62 milionë eurosh, pasi ratifikimi i marrëveshjeve të nevojshme është bllokuar për shkak të mungesës së një qeverie të plotë dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Qeveria në detyrë ka akuzuar ish-opozitën për vonesa dhe bllokim të procedurave, duke paralajmëruar se mosvotimi mund të rrezikojë 882 milionë euro të destinueshme për Kosovën.
Ish-diplomati Avni Arifi thekson se vonesat në miratimin e marrëveshjeve po pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit dhe po e lënë Kosovën pas vendeve të rajonit, ndërsa Grupet për Studime Juridike dhe Politike theksojnë se krijimi i një qeverie stabile është i domosdoshëm për të përfituar fondet.

















