Përvjetori i lindjes së ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

02 dhjetor 2025

Sot shënohet 19-vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ai ka vdekur më 21 janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Ibrahim Rugova është lindur më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut.

Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia kanë pushkatuar të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që kishin depërtuar në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova, një nga figurat më emblematike politike dhe intelektuale të Kosovës, fillimisht kreu shkollimin fillor në Istog dhe atë të mesëm në Pejë, më 1967. Studimet universitare i përfundoi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Gjatë viteve 1976-77, ai qëndroi në Paris në Ecole Pratique des Hautes Études, nën udhëheqjen e teoricienit të njohur Roland Barthes, ku thelloi interesimet e tij në fushën e teorisë letrare. Rugova doktoroi në letërsi më 1984 dhe në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës.

Karrierën e tij e nisi si redaktor në “Bota e Re”, “Dituria” dhe më pas në revistën “Fjala”. Për afro dy dekada, punoi si hulumtues në Institutin Albanologjik, ku drejtoi edhe revistën “Gjurmime Albanologjike”. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve ’60.

Rrugëtimi i tij drejt skenës politike u kurorëzua në vitin 1988, kur u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës—vendim që shënoi një pikë kthese në lëvizjen kundër sundimit jugosllav. Më 23 dhjetor 1989, Rugova u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partia e parë politike që sfidoi hapur regjimin komunist.

Nën udhëheqjen e tij, LDK-ja u bë forca kryesore politike në vend, duke udhëhequr proceset historike për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës: nga Deklarata e 2 korrikut 1990 e deri te Kushtetuta e Kaçanikut dhe referendumi i vitit 1991. Në zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1992, Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës, mandat që e mbajti për disa vite rresht, me rizgjedhje në 1998, 2002 dhe 2004.

Rugova vazhdoi të qëndronte figura kryesore politike edhe pas luftës, duke i udhëhequr fitoret e LDK-së në zgjedhjet lokale dhe nacionale të viteve 2000–2004.

Presidenti historik i Kosovës ndërroi jetë më 21 janar 2006 dhe u varros me nderimet më të larta shtetërore në “Bregun e Diellit” në Prishtinë. Një vit më vonë, më 21 janar 2007, ai u dekorua pas vdekjes me titullin “Hero i Kosovës”, nderimi më i lartë shtetëror për kontributin e tij vendimtar në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit.

Scroll to Top