reparti

Përurohet shërbimi për Frytnim të Asistuar Mjekësor në QKUK

Sot u përurua shërbimi i ri i Frytnmit të Asistuar Mjekësor, në Klinikën e Gjinekologjisë.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Kurti deklaroi se inaugurimi i këtij shërbimi, pra mundësisë për fertilizim të asistuar, do t’i bëjë të lumtura shumë çifte në Kosovë. Ai pa nga afër aparaturën moderne e cila arrin koston rreth dy milionë euro.

“Gjysma është prej Ministrisë së Shëndetësisë, gjysma është prej ShSKUK-së, me ç’rast vetëm aparatura e laboratorit të embriologjisë është mbi një milion euro, dhe përveç kësaj, ishin edhe dy ultrazë të ri, si dhe një pajisje e cila ishte version i kombinuar i histeroskopisë e laparaskopisë”, njoftoi Kurti.

Nga Klinika e Gjinekologjisë, kryeministri Kurti u bëri thirrje të gjitha çifteve të cilët dëshirojnë që të bëhen prindër, sepse pas këtij investimi të përbashkët tash kanë një adresë publike, moderne dhe cilësore.

Shërbimi i Frytnimit apo Fertilizimit të Asistuar Mjekësor do të jetë falas për dy herët e para, ndërkaq pas dy herëve të para ai do kushtojë 670 euro, dukshëm më lirë se shërbimi në sektorin privat që ka çmimin rreth 3 mijë euro.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se punën më të madhe e ka bërë reparti, sidomos kjo klinikë me drejtorin Zef Ndrejaj, për çka falënderoi gjithë stafin e Klinikës Gjinekologjike për punën e shkëlqyer që po e bëjnë.

Ngjashëm, përgëzime për punën pati edhe kryeministri, i cili falënderoi stafin dhe në veçanti shefin e repartit Leandrit Bejtullahun për punën dhe kontributin ndër vite.

shskuk

“Sidomos tash i përgëzoj që kanë fituar këtë investim, këtë aparaturë që do të bëjë të mundur të bëj të lumtur shumë çifte nga anë e mbanë vendi ynë, të cilat do të vijnë këtu e të cilët kanë vuajtur shumë, sepse kanë dashur që të bëhen prindër, të bëhen baba e nënë, por nuk kanë mundur, tash e kanë adresën, e cila e garanton shërbimin publik edhe cilësor”, përmbylli kryeministri.

Në këtë inaugurim bashkë me kryeministrin Kurti dhe ministrin Vitia, të pranishëm ishin edhe Drejtori i Klinikës Gjinekologjike, Zef Ndrejaj, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, deputetët e Kuvendit, Haxhi Avdyli dhe Fatmire Kollçaku, Drejtori i QKUK-së, Osman Hajdari dhe Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi.

Scroll to Top