Përkujtohen 28 vjet nga luftimet e para frontale mes UÇK-së dhe forcave serbe

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

25 nentor 2025

Sot shënohen 28 vjet nga përplasjet e para të drejtpërdrejta ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave policore serbe, një ngjarje që konsiderohet pikë kthese në historinë e rezistencës së armatosur në Kosovë.

Më 25 nëntor 1997, njësitë e UÇK-së të udhëhequra nga komandanti Adem Jashari ndërmorën një sulm ndaj forcave policore serbe në Vojnik të Skenderajt, duke i detyruar ato të tërhiqeshin me humbje. Të nesërmen, forcat serbe organizuan një ekspeditë ndëshkimore me dhjetëra automjete të blinduara drejt zonës.

Adem Jashari, së bashku me 10 luftëtarë, u përballën me forcat serbe në një pritë që zgjati rreth katër orë. Edhe këtë herë, policia serbe u tërhoq nën zjarr të dendur. Gjatë tërheqjes, forcat serbe qëlluan pa dallim mbi civilët dhe në fshatin Llaushë vranë mësuesin Halit Geci, në hyrje të shkollës ku punonte.

Më 28 nëntor 1997, Geci u varros me një ceremoni të gjerë, ku morën pjesë shumë banorë të zonës. Pikërisht në këtë ceremoni, me urdhër të Adem Jasharit, për herë të parë dolën publikisht përfaqësues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shënuar një moment të rëndësishëm në afirmimin e organizimit të UÇK-së.

Scroll to Top