Përkeqësimi i situatës me mbeturinat në Prishtinë, Rama e Brestovci akuzojnë PDK-në dhe LVV-në

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

03 shkurt 2025

Në një konferencë për media, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, kanë shprehur shqetësimin lidhur me situatën e krijuar në menaxhimin e mbeturinave.

Të dy kanë akuzuar PDK-në e LVV-në që sipas tyre po pengojnë përpjekjet për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet.

Kryetari Rama ka theksuar se, përkundër përpjekjeve të bëra për të përmirësuar situatën, veprimet politike kanë pasur ndikim negativ.

Ai u shpreh: “Prej kohës edhe kur drejtori i Shërbimeve Publike është angazhuar, kemi pasur një përmirësim të dukshëm në aspektin e menaxhimit të mbeturinave, por tani duket se dikujt i ka penguar ky avancim. Koalicioni PDK-LVV ka tentuar të largojë disa pika nga rregullorja, duke përpjekur të pamundësojnë angazhimin e sektorit privat për të ndihmuar kompaninë ‘Pastrimi’.”

Rama shtoi se situata ka filluar të përkeqësohet përsëri, duke theksuar se tashmë është e vështirë të arrihen nivelet e menaxhimit të mbeturinave që ishin arritur kur kompania “Pastrimi” bashkëpunonte me operatorë privatë.

“Jemi në një pikë ku përkeqësimi ka filluar sërish. Zonat që ‘Pastrimi’ i menaxhon nuk kanë arritur kurrë nivelin që kanë arritur me kompani private dhe gjendja po përkeqësohet në të gjitha anët e kryeqytetit,” shtoi Rama.

Scroll to Top