Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
11 prill 2025
Ka përfunduar e qetë protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, ndërsa aktivistët paralajmëruan padi ndaj ZRrE-së.
Ata në fund të protestës thanë se të martën e javës së ardhshme do të dorëzojnë padi.
“Do të vazhdojmë me kundërshtimet tona, dhe me protestat tona. Deri në protestën e ardhshme të cilën do ta paralajmërojmë së shpejti. Takohemi të martën para gjykatës ku do ta dorëzojmë padinë”, thanë aktivistët.
“KEDS t’i kthehet popullit”, protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e anëtarëve të ZRrE-së
Duke brohoritur “Asnjë cent më shumë”, qytetarët marshuan drejt zyrave të ZRrE-së nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Aktivistët e grupit “Asnjë cent më Shumë” bën një mbishkrim para zyrës së ZRrE-së “KEDS t’i kthehet popullit”.
Ndërkaq, protestuesit me brohorima po kërkojnë dorëheqjen e anëtarëve të ZRrE-së.
Protesta kundër shtrenjtimit të energjisë, qytetarët marshojnë drejt ZRrE-së
Qytetarë të shumtë janë mbledhur sot para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në një protestë të organizuar nga grupi “Asnjë Cent ma Shumë”, për të kundërshtuar paralajmërimet për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Me pankarta në duar “Mbroj familjen tënde-protesto”, Qytetarët nuk janë bankomat”, “Nuk paguajmë për dështimet tua”, etj, protestuesit shprehën pakënaqësinë ndaj kërkesës së kompanive energjetike për rritjen e tarifave të rrymës.
Aktivisti Besnik Shabiu ka thënë se thirrja e përbashkët e qytetarëve në protestën e kaluar shkoi në vesh të shurdhët tek ZRrE.