Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
11 dhjetor 2025
Ngritja e aktakuzës nga Prokuroria Speciale më 9 dhjetor ndaj tre personave për shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc në Varragë të Zubin Potokut që kishte ndodhur më 29 nëntor 2024, nga juristë e ekspertë të sigurisë po cilësohet si aktakuzë e plotësuar, bazuar në përfshirjen e FBI-së në procesin e hetimeve.
Avokati Ardian Bajraktari theksoi se Prokuroria Speciale ka vepruar në përputhje të plotë me kornizën ligjore, duke theksuar se ligji parasheh afat deri në dy vite për ngritjen e aktakuzës, varësisht nga dinamika e hetimeve.
Sipas tij, fakti që aktakuza është ngritur brenda pak më shumë se një viti nga ngjarja dëshmon se prokuroria ka vepruar në një afat “optimal”. Ai shtoi se përfshirja e mekanizmave ndërkombëtarë, përfshirë FBI-në, e bën rastin më të argumentuar dhe më të qëndrueshëm nga aspekti proceduror dhe provues.
“Veprat penale për të cilat akuzohen të dyshuarit janë të natyrës së rëndë, me dënime që arrijnë deri në pesë vite burgim. Tani është në dorën e prokurorisë që para gjykatës të provojë se akuzat janë të bazuara,” tha Bajraktari, duke shtuar se ecuria e procesit gjyqësor do të tregojë nëse provat do të qëndrojnë.
Ai vlerësoi gjithashtu se Prokuroria Speciale ka treguar efikasitet si në fazën e hetimeve, ashtu edhe në ngritjen e aktakuzës, duke e konsideruar veprimin e saj të shpejtë dhe profesional në raport me kompleksitetin e rastit.

















