Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
10 prill 2025
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka pritur sot një delegacion nga Mbretëria e Bashkuar, të përbërë nga deputeti britanik Alex Sobel dhe anëtarja e “City Leaders”, Cllr Helen Hayden.
Gjatë diskutimit u vlerësua lart miqësia dhe partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me theks të veçantë tek bashkëpunimi politik, ndihma institucionale dhe mbështetja për rininë dhe fuqizimin e grave në politikë.
Sipas njoftimit, Çitaku shprehu mirënjohjen e saj për kontributin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në ndërtimin e institucioneve demokratike në Kosovë.
“Jemi thellësisht mirënjohës për partneritetin e fortë me Mbretërinë e Bashkuar. Mbështetja e tyre ka qenë jetike në rrugëtimin tonë drejt forcimit të shtetit ligjor dhe zhvillimit demokratik. Takime si ky na japin mundësinë të thellojmë bashkëpunimin dhe të ndërtojmë ura të reja miqësie e mirëkuptimi”, citohet Çitaku në njoftim.
Më tej thuhet se delegacioni britanik u interesua për zhvillimet aktuale politike në vend, sfidat e rinisë dhe fuqizimin e grave në institucionet vendimmarrëse, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm.
“Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj thellimit të raporteve ndërkombëtare dhe forcimit të lidhjeve me aleatët strategjikë të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Në takim, Çitaku ishte e shoqëruar nga Kryetarja e Rinisë Demokratike dhe deputetja e sapozgjedhur, Arbnora Salihu, si dhe shefi i kabinetit të Kryetarit Memli Krasniqi, Ardian Arifaj.