PDK kërkon rivotim në Mitrovicën e Jugut, pas dyshimeve për parregullsi në procesin e numërimit të votave

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

12 nentor 2025

Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut ka përfunduar procesi i verifikimit dhe numërimit të fletëvotimeve për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune, mes pretendimeve për parregullsi.

Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, deklaroi para mediave se procesi zgjedhor është dëmtuar seriozisht dhe se e vetmja mënyrë për ta rikthyer besueshmërinë është rivotimi. Ai kërkoi që çështja të hetohet edhe nga organet e drejtësisë.

“Ne kemi parë defekte serioze në fletëvotime që bien ndesh me rregulloret e brendshme dhe ato të KQZ-së. Procesi ka humbur integritetin e tij, prandaj e vetmja zgjidhje është rivotimi,” tha Gashi, duke shtuar se PDK do të kërkojë hetim për origjinalitetin e fletëvotimeve.

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar përsëritjen e votimit në këtë komunë.

Procesi i numërimit ishte ndërprerë të hënën në mbrëmje pas raportimeve për keqpërdorime të mundshme, ndërsa Prokuroria Themelore në Mitrovicë urdhëroi të martën rifillimin e tij në Qendrën Komunale të Numërimit.

Scroll to Top