Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
11 nentor 2025
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, derisa ka shpalosur parregullsitë që ndodhën me fletëvotimet në Mitrovicë, ka bërë thirrje që ky qytet të shkojë në rivotim.
Ai në konferencën për media ka thënë se bartja e fletëvotimeve nga një vend në vendin tjetër bie ndesh me ligjin dhe me rregullat e KQZ-së.
“Jam këtu për të shprehur shqetësimet lidhur me dyshimet për procesin zgjedhor në Mitrovicë. Procesi është shënuar me presion të madh, me ndërhyrje në proces dhe institucionet shtetërore kanë ndërhyrë. Gjatë ditës së djeshme, komisionerët tanë kanë vërejtur parregullsi të rënda që janë gjetur në klasa të tjera, madje edhe në qendra të tjera të votimit. Pra, ka pasur bartje të fletëvotimeve nga një klasë në tjetrën dhe nga një shkollë në tjetrën. Menjëherë pas vërejtjes, janë lajmëruar organet kompetente. Si pasojë, procesi i votimit është ndërprerë. Bartja e fletëvotimeve nga një vend në vendin tjetër bie ndesh me ligjin dhe me rregullat e KQZ-së. Kodi që shërben në fletëvotime është për vendvotime dhe si mekanizëm i vërtetimit. Ky kod është një element themelor i integritetit zgjedhor. Pra, çështja nuk është vetëm një çështje teknike, por një çështje thelbësore që ndikon në sigurinë e votës. Rastet konkrete: Në shkollën ‘Avdullah Shabani’ janë gjetur 3 fletëvotime që i takojnë një shkolle tjetër. Në shkollën “Migjeni” është gjetur një fletëvotim që i takon një klase tjetër. Është vërejtur që ka fletëvotime të shumta të bartura nga një klasë dhe nga një shkollë tjetër”, tha Gruda.

















