Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
18 nentor 2025
Si pasojë e reshjeve të shiut me intensitet të lartë dhe rrezikut që të ketë vërshime, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka njoftuar të martën për anulim të mësimit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për rrezik të vërshimeve të shpejta në disa lokalitete në Kosovë më 18 dhe 19 nëntor, si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë të shiut që kanë nisur nga orët e para të së martës.
Për shkak të reshjeve të shiut me intensitet të lartë dhe rrezikut që të ketë vërshime, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka njoftuar të martën për anulim të mësimit.
“Ju njoftojmë se për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike, reshjeve të mëdha të shiut dhe vështirësive në komunikacion, në koordinim me Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave, Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe drejtorët përkatës të shkollave, procesi mësimor për ditën e sotme anulohet. Ky vendim është marrë edhe në koordinim me kryetarin e kryeqytetit dhe është masë preventive e sigurisë për fëmijët tanë”, thuhet në njoftimin e kësaj drejtorie.
Ndryshe sipas paralajmërimit zonat më të rrezikuara janë rrjedha e mesme dhe e poshtme e Drinit të Bardhë, Bistrica e Prizrenit, Mirusha, Toplluha, Ereniku, Bistrica e Deçanit dhe rrjedha të tjera me karakter malor.

















