varrezat

Padia për gjenocid, Hetemi: Do t’i ofrojmë dëshmitë kurdo që na kërkohen

Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë nuk ka mandat që të ndërmarrë iniciativa për të ngritur padinë kundër Serbisë për gjenocid por do të ofrojë dëshmitë që i posedon, kurdo që institucionet ia kërkojnë.

Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress, drejtori i këtij instituti, Atdhe Hetemi, sipas së cilit, për të arritur paqe të qëndrueshme në rajon, duhen hapa për vendosjen e drejtësisë.

Në institutin e formuar nga ekzekutivi në fund të 2023-ës, tashmë nga komunat e Kosovës dhe institucionet e ndryshme, janë dorëzuar dokumente dhe materiale që dokumentojnë krimet e luftës.

Hetemi thotë se deri tani kanë grumbulluar mbi 200 metra material arkivor dhe mijëra orë video-incizime dhe materiale që janë dëshmi e krimeve që serbe në Kosovë.

“Ne si institut nuk është që kemi mandat që të marrim iniciativa sa i përket padisë e kështu me radhë, mirëpo kurdo që institucionet e tjera që e kanë këtë mandat e marrin ndonjë iniciativë të tillë, Instituti është i obliguar që t’i ofrojë dëshmitë dhe dokumentet të cilat i posedon në mënyrë që institucionet e tjera ta bëjnë punën e tyre edhe në këtë drejtim.

Përndryshe, instituti ka më tepër karakter akademik…është e domosdoshme që për tu arritur një paqe e qëndrueshme në rajon fillimisht të bëhet dokumenti i mirëfilltë gjë të cilën jemi duke e bërë pastaj të merren hapa për vënien e drejtësisë në vend, reparacionin e kështu me radhë por këto i bëjnë institucionet tjera”, thotë ai.

Kryeministri Albin Kurti kishte paralajmëruar se qeveria e tij do përgatisë padinë kundër Serbisë për gjenocid, pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Diçka konkrete nuk është parë në këtë drejtim.

Një muaj më parë Kurti tha se nuk mund të jap detaje për këtë, duke theksuar se përgatitjet janë të thella dhe komplekse.

“Duke pasur parasysh kontekstin rajonal, fqinjin tonë armiqësor, këto përgatitje jemi të detyruar që t’i zhvillojmë jashtë syve të opinionit publik”, tha Kurti më 11 nëntor pasi zhvilloi vizitë në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Megjithatë, materiale të ndryshme tashmë janë arkivuar në këtë institut.

“Llojet e materialeve që instituti mbledh, janë materiale të shkruara, dokumente të caktuara në letër, pastaj video-materiale dhe audio e foto-materiale. Deri më tani kemi arritur që të grumbullojmë mbi 200 metra gjatësi material fizik arkivor për 15TB [terrabajt] material digjital që do të thotë mijëra orë video incizime, foto-materiale e auto-materiale që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës. Vlen të theksohet gjithashtu se numri i atyre të cilët kanë dorëzuar materiale përfshirë institucione të ndryshme, tani kemi arritur bashkëpunime dhe kemi mbledhur materiale në 31 komuna të Kosovës, ministri të caktuara, organizata joqeveritare, individë apo koleksionistë privatë të cilët kanë grumbulluar apo kanë pasur në posedim materiale të kësaj natyre”, thotë ai.

Scroll to Top