Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
18 nentor 2025
Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se, me vullnet politik, zgjidhja për pagat e punëtorëve të RTK-së, si dhe për qasjen në miliona euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian dhe fondet e Bankës Botërore, mund të arrihet në kohë shumë të shkurtër. Ajo ka ritheksuar se themelimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa mbetet rruga e vetme për të tejkaluar bllokadat, iniciativë kjo e paraqitur nga vetë presidentja, por e cila ka hasur në kundërshtime nga partitë politike.
“Nuk ka asnjë arsye që partitë politike të bllokojnë formimin e komisioneve. Kushdo që ju thotë të kundërtën, është duke ju mashtruar. Nuk ekziston asnjë komplikim për krijimin e institucioneve”, u shpreh Osmani, duke shtuar se deklarimet se procesi është i pamundur “janë gënjeshtra”.
Presidentja u shpreh gjithashtu se kishte pritur që seanca për votimin e Qeverisë të thirrej para ditës së mërkurë, afati i fundit kushtetues, por pritjet e saj nuk u realizuan. “Nuk ka qenë qëllimi im të shkaktoj vonesa; ato janë shkaktuar nga të tjerët. Për nëntë muaj kemi pritur. Tani po i afrohemi fundit të procesit”, deklaroi ajo.
Seanca e jashtëzakonshme mund të thirret me 40 nënshkrime, numër që e zotëron Lëvizja Vetëvendosje. Megjithatë, deputetë të kësaj partie nuk kanë dhënë një datë të saktë për mbajtjen e saj. Edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një deklarim për T7, theksoi se prioritet mbetet formimi i komisioneve parlamentare.
“Shteti ka nevojë urgjente për formimin e katër komisioneve të përhershme: për buxhet, punësim dhe transfere; për integrimin evropian; për komunitete dhe kthim; si dhe komisionin për legjislacion. Tani që Kuvendi është konstituuar, do të ishte gabim politik dhe dëm financiar të mos vazhdohet me formimin e tyre”, u shpreh Kurti, duke theksuar se afati 15-ditor për votimin e qeverisë skadon të mërkurën.
Analistët politikë vlerësojnë se bllokimi nëntëmujor i Kuvendit dhe proceseve të tjera institucionale ka qenë i evitueshëm dhe përgjegjësia kryesore, sipas tyre, bie mbi partinë fituese të zgjedhjeve.
Nëse kryetari i propozuar për kryeministër, Glauk Konjufca, nuk siguron 61 vota deri të mërkurën, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat mund të mbahen më së largu gjatë javës së tretë të muajit.

















