Osmani: Vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës, i pashpjegueshëm dhe i padrejtë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

09 dhjetor 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar vazhdimin e masave ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, duke i quajtur ato “të pashpjegueshme, të padrejta dhe të paarsyeshme”.

Gjatë takimit me raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, Osmani kërkoi mbështetjen e tij për heqjen e menjëhershme të masave, të cilat BE-ja i vendosi në vitin 2023 pas tensioneve në veriun e Kosovës.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani theksoi se këto masa dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit evropian, pavarësisht se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e paraqitura nga partnerët e BE-së. Ajo shtoi se heqja e masave do të dërgonte një “sinjal të fuqishëm” për qytetarët dhe do të inkurajonte vazhdimin e reformave.

Në maj të këtij viti, shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, njoftoi se ka nisur heqja graduale e masave, megjithëse nuk specifikoi cilat prej tyre janë shfuqizuar. Sipas burimeve në Bruksel, disa masa të lidhura me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor janë hequr tashmë.

Presidentja Osmani riafirmoi gjithashtu rëndësinë e avancimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE, duke theksuar se procesi duhet të ecë përpara mbi bazën e meritave. Kosova mbetet e vetmja në rajon pa statusin e vendit kandidat, megjithëse aplikimi i saj i dorëzuar në dhjetor 2022 ende nuk është shqyrtuar nga Këshilli i BE-së.

Scroll to Top