vjosa osmani

Osmani sërish thërret liderët e partive në takim, a do të konstituohet Kuvendi?

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

Pas tentimit të parë që nuk arriti të zhbllokojë ngërçin politik, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po organizon sërish takim me liderët e partive politike në përpjekje për të gjetur një zgjidhje dhe për të lehtësuar konstituimin e Kuvendit.

Zyra e presidencës nuk ka dhënë detaje për ftesat, por kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, konfirmoi se ka pranuar ftesën dhe do të jetë i pranishëm në takim që do të mbahet të mërkurën.

“Po, kam pranuar ftesën. Qëndrimi ynë është i njëjtë si gjithmonë – kemi përpjekur për dy-tre muaj që të gjejmë një kompromis për të dalë nga kjo situatë. Shpresojmë që nesër situata të ndryshojë, ndryshe nga ajo që ka ndodhur deri më tani me LVV-në. Do të jem aty në takim me presidenten,” tha Krasniqi.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës shprehu gatishmërinë për pjesëmarrje, edhe pse deri në mesditë nuk kishte marrë ftesë zyrtare. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha: “Do të shkojmë sa herë të na ftojnë. Është mirë që presidentja na mblodhi dhe është mirë të ketë një qëndrim të qartë për këtë çështje.”

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se nuk ka marrë ende ftesë, por deputetja e kësaj partie, Time Kadrijaj, theksoi se presidentja duhet të marrë një rol më aktiv në tejkalimin e krizës.

“Tash lexova që janë dërguar ftesa për liderët e partive për takim me presidenten. Ndoshta ajo duhet të ketë një rol më të madh, por duhet të jetë shumë e qartë dhe e saktë, pasi po shohim që LVV interpreton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese sipas interesave të veta. Besojmë që do t’i përgjigjemi ftesës dhe do të marrim pjesë në takim,” tha Kadrijaj.

Nga Lëvizja Vetëvendosje u shpreh gatishmëria për pjesëmarrje, por u kërkua që takimet të prodhojnë rezultate konkrete.

“Jemi të gatshëm të marrim pjesë në takimet e radhës të ftuara nga presidentja Osmani. Nuk përjashtojmë asnjëherë mundësinë që të ketë takime edhe nga kryeministri Kurti, pasi aktgjykimi i Kushtetueses e obligon partinë e parë që të thërrasë takime për konstituimin e Kuvendit. Por është e pakuptimtë të shkosh në takim pa bërë lëvizje konkrete,” tha deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu.

Presidentja Osmani kishte mbledhur liderët e partive më 15 maj, por takimi nuk solli përparim në zgjidhjen e ngërçit politik. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mbetet e hapur mundësia e kërkimit të sqarimeve shtesë nga kjo gjykatë për të ndihmuar në proces.

Scroll to Top