Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
18 dhjetor 2025
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian ka vendosur t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Lajmi u konfirmua pas përfundimit të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, i mbajtur në Bruksel.
Osmani sqaroi se një pjesë e masave do të hiqen menjëherë, ndërsa pjesa e mbetur pritet të largohet deri në fund të muajit janar.
Gjatë deklarimit të saj për media, presidentes i është bashkuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e ka vlerësuar lart rolin e Osmanit në këtë proces. “Kjo grua ka qenë e jashtëzakonshme sot. I ka zhbllokuar të gjitha fondet që kanë qenë të bllokuara për kaq kohë. Le të thonë çfarë të duan, kemi apo s’kemi lajme – ajo ka lajme dhe kjo është meritë e saj njëqind për qind. Bravo të qoftë”, ka thënë Rama.
Me nota humori, kryeministri shqiptar shtoi: “Ti e di që unë s’të dua, por të vërtetën duhet me e thënë”.
Pas kësaj, presidentja Osmani ka falënderuar kryeministrin Rama dhe Shqipërinë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në proceset evropiane.

















