Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
28 mars 2025
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se pak më parë Komisioni Qendror Zgjedhor ka dërguar në Presidencë shkresën zyrtare me rezultatet e certifikuara të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Osmani tanimë ka 30 ditë afat për të thirrur seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në një deklarim për gazetarë, Osmani njoftoi se brenda këtij afati ligjor do ta thirrë seancën, por nuk dha datë.
“Për momentin ekipi im ligjor është duke analizuar se sa mund të ketë nevojë për kohë për përgatitjen e kësaj seance, në mënyrë që kur të thirret seanca të jetë e suksesshme. Pra, të jetë i suksesshëm konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Gjithçka do bëhet brenda afatit kushtetues. Për momentin nuk mund të jap një datë, sepse dua të jem e saktë, por shumë shpejt do ta kemi”, tha ajo.
KQZ-ja dje ka votuar certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke i hapur rrugën krijimit të institucioneve të reja.