Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
21 mars 2025
Presidentja Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur reagimeve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq lidhur me marrëveshjen në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës e Kroacisë.
Osmani tha se historikisht shtetet agresore, siç janë Serbia dhe Rusia vazhdimisht tentojnë të paraqiten si viktima.
“Nëse i shihni deklarimet e tyre qesharake, përkundër faktit që kanë histori sulmesh, pushtimesh, histori të gjenocidit e luftërave, shtetet agresore si Serbia dhe Rusia paraqiten sikur dikush po i sulmojka ata…
Në historinë e popullit tonë ne kurrë nuk e kemi sulmuar askënd, kurrë nuk kemi tentuar të pushtojmë asnjë centimetër të territorit të dikujt tjetër… Por, në historinë e kombit tonë, shqiptarë dhe Kosova në veçanti e ka mbrojtur gjithmonë vetveten, pragun e shtëpisë.
Ne do të vazhdojmë ta mbrojmë sovranitetin, integritetin territorial, shtetësinë tonë dhe të kontribuojmë në stabilitetin rajonal”, tha ajo.
E para e shtetit, theksoi tutje se marrëveshja trilaterale ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë synon pikërisht këtë, që t’i ndihmojnë njëra-tjetrës për t’i ngritur kapacitetet e mbrojtjes, pra për ta mbrojtur vetveten dhe asnjëherë për ta sulmuar dikë dhe në të njëjtën kohë bashkëpunimin ndërmjet shteteve aleate që e kanë dëshmuar që janë besnike ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe fqinjësisë së mirë.
“Në të drejtën ndërkombëtare, por edhe në praktikën e NATO-s ka shumë shtete që janë anëtare të NATO-s dhe nënshkruajnë marrëveshje bilaterale me shtete tjera”, tha Osmani.
Ajo përmendi shembullin e SHBA-së që ka marrëveshje me Greqinë dhe shembuj tjerë.
“…Serbia tani del me propagandë që gjoja është shkel një marrëveshje e vitit 1966 po kushdo që e lexon atë marrëveshje e vëren një gjë, që Serbia po e bën atë që e ka bërë gjithmonë, po gënjen.
Nuk ka asnjë të vërtetë në atë që e kanë thënë dhe se nuk ka asnjë rrezik për të, por përkundrazi…. Ekziston vetëm një burim destabiliteti në rajonin tonë dhe kjo është Serbia. Për këtë pajtohet i gjithë rajoni…
Por, kanë përfunduar njëherë e përgjithmonë kohët që Serbia pyetet për çkado qoftë. Ne jemi shtet sovran, i pavarur vendimet i marrim vetë në përputhje me interesant e Kosovës, dhe gjithnjë duke pasur synimin paqen dhe stabilitetin rajonal, që rrezikohet vetëm nga Serbia”, u shpreh e para e shtetit.

















