Osmani për 28 dhjetorin: “Mërgata ka të drejtë vote, partitë duhet ta duan edhe në zgjedhje”

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

20 nentor 2025

Presidentja Vjosa Osmani ka sqaruar arsyen pse ka caktuar datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke theksuar se kjo datë u mundëson edhe mërgimtarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Sipas saj, ideja është mbështetur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Guxo.

Osmani rikujtoi se të gjitha partitë politike publikisht kanë deklaruar se “nuk janë kundër mërgatës”, ndaj – siç tha ajo – është e pavend të paragjykohet se vota e mërgimtarëve shkon vetëm në favor të një subjekti të caktuar. Presidentja theksoi se sipas ligjit, i miratuar pikërisht nga partitë që sot kundërshtojnë datën, mërgata ka të drejtë të barabartë vote sikurse çdo qytetar që jeton në Kosovë.

“Detyrë e imja si Presidente është të caktoj një datë që garanton pjesëmarrje më të gjerë. Mërgata është pjesë e Republikës dhe e drejta e tyre nuk negociohet”, tha Osmani, shkruan Reporteri.net.

Ajo shtoi me ironi të lehtë se mërgatën duhet ta duan partitë jo vetëm kur dërgon remitenca apo investon, por edhe kur kërkon të marrë pjesë në zgjedhje.

“Nëse mërgimtarët ndodhen në Kosovë ditën e zgjedhjeve, janë të mirëseardhur të votojnë. Kur mërgata sjell miliona euro remitanca, kur hap biznese e vende pune, të gjithë i duan. Duhet t’i duan edhe kur vijnë për të votuar. Unë, si Presidente, do ta mbroj të drejtën e tyre”, deklaroi Osmani.

Scroll to Top