Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
21 tetor 2025
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar fotografi nga Darka e Lamës, ku të pranishëm ishin ambasadorë të huaj të akredituar në vend, komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, familjarë të policit të rënë në detyrë në Banjskë, Afrim Bunjaku, si dhe përfaqësues institucionalë të tjerë.
E para e shtetit në një postim në Facebook thekson se Darka e Lamës, nismë e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, përfaqëson kujtesën e lidhjes me rrënjët e vendit.
“Nga toka fillon gjithçka: jeta, bereqeti dhe begatia. Bashkë me miq, aleatë, përfaqësues të jetës institucionale e shoqërore, në Darkën e Lamës shpreha falënderimin dhe mirënjohjen time të thellë për secilin prej atyre që e mbajnë këtë vend gjallë e krenar çdo ditë.
Kjo Darkë e Lamës, e cila është nismë e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, është kujtesë e lidhjes sonë me rrënjët, me tokën që na mban e ushqen, me traditën që na mëson të jemi mirënjohës”, shkruan Osmani.

















