Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
03 tetor 2025
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit në ceremoninë e Ndërrimit të Komandës në Shtabin e KFOR-it, ka ripërsëritur synimin e qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO, duke theksuar se kjo aspiratë nuk është vetëm strategjike, por përfaqëson identitetin e vendit.
“Sot por edhe historikisht, populli i Kosovës gjithnjë është rreshtuar me vlerat e lirisë, demokracisë dhe sigurisë së përbashkët. Kjo është arsyeja pse aspirata jonë për tu anëtarësuar në NATO nuk është vetëm një zgjedhje strategjike, por pasqyrë e asaj se kush jemi”, theksoi Osmani.
Ajo nënvizoi se në një kohë kur kërcënimet ndaj paqes po shtohen, aleanca është më e fortë kur qëndron përkrah partnerëve të përkushtuar, siç është Kosova.
“Në kohën kur kërcënimet ndaj paqes po rriten, aleanca është më e fuqishme kur qëndron me partnerë të cilët kanë dëshmuar përkushtimin e tyre. Kosova e ka bërë këtë vazhdimisht, përmes qëndrueshmërisë sonë, reformave tona dhe vendosmërisë së popullit tonë”, tha ajo.
“Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë krah aleatëve tanë, pasi vetëm së bashku mund të sigurojmë që paqja e fituar me mund sot të bëhet paqja e qëndrueshme e nesër”, shtoi Presidentja
Duke folur për sfidat që i kanosen shtetit, Osmani paralajmëroi për përpjekje të disa vendeve që, siç tha ajo, synojnë të zhbëjnë të arriturat e Kosovës dhe ta kthejnë vendin pas në kohë.
Ka vende të cilat përpiqen që të zhbëjnë gjithçka ka arritur Kosova, dhe duan që vendin ta kthejnë në të shkuarën. Partneriteti s’mund tu jepet atyre që kryejnë agresione ndaj fqinjëve. Vetëm nëpërmjet qëndrueshmërisë dhe qartësisë mund ta mbrojmë paqen, stabilitetin dhe të ardhmen që e duam të gjithë.”
Ajo përfundoi duke theksuar se vlerat mbi të cilat është ndërtuar Kosova janë të njëjta me ato të NATO-s dhe aleatëve perëndimorë.
“Historia na ka treguar rëndësinë e qëndrimit krah për krah me ata që ndajnë vlerat tona. Vetë Kosova është ndërtuar mbi të njëjtat themele që na lidhin me aleatët tanë e që janë demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. Dhe Kosova gjithmonë do të qëndrojë me ju në mbrojtje të këtyre vlerave”, përfundoi Osmani.

















