Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
17 dhjetor 2025
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot në Bruksel një takim me Presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, António Costa, në kuadër të Samitit BE–Ballkani Perëndimor.
Gjatë takimit, Osmani ka përshëndetur vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e pjesshme të masave ndaj Kosovës, duke theksuar se ky hap është i mirëpritur, por i pamjaftueshëm. Ajo ka nënvizuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga vetë BE-ja dhe, për këtë arsye, nuk ekziston asnjë arsye për vonesa apo pengesa në heqjen e plotë të masave të mbetura.
Presidentja ka theksuar se Republika e Kosovës ka dëshmuar vazhdimisht konstruktivitet, bashkëpunim dhe përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, edhe përballë masave që ajo i ka cilësuar si të padrejta.
Po ashtu, Osmani ka shprehur shpresën që Kosova të marrë sa më parë mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare të BE-së për të fituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim, bazuar në parimin e meritave.
Takimi u zhvillua në kuadër të angazhimeve të presidentes Osmani në Bruksel, ku sot mbahet Samiti BE–Ballkani Perëndimor, i fokusuar në forcimin e bashkëpunimit dhe perspektivës evropiane të rajonit.

















