Osmani: Forumi ekziston për t’i fuqizuar ata që refuzuan të thyhen

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

02 qershor 2025

Në Prishtinë ka nisur sot edicioni i tretë i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me temën “Kodi i Sigurisë për Brezin Tonë”. Në këtë forum po marrin pjesë rreth150 folës nga 45 vende të botës. Në hapje u theksua nevoja për trajtimin e plagëve të luftës, ku u tha se tema e sivjetme e këtij edicioni është thirrje për paqe. Pas fjalimeve të para, presidentja Vjosa Osmani ka bërë ndarjen e medaljeve presidenciale për nënat e Srebrenicës.

Osmani tha se para më shumë se dy dekadave, fëmijët e Kosovës panë e përjetuan tmerret e luftës.

Tema e këtij viti, “Kodi i Sigurisë për Gjeneratën Tonë”, Osmani  tha se është thirrje për të ndërprerë ciklet e dhunës dhe për ndërtimin e paqes.

Në hapje të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, kryetarja e shtetit u shpreh se luftërat pas vetës lënë dëm ndërbreznor.

“Është dëmi i heshtur ndaj ndjesisë së sigurisë së një fëmije. Plaga e padukshme që mbartet nga mendjet e reja. Është dhimbja e padurueshme e humbjes së një prindi, një vëllai, një të dashuri, një shtëpie, e të bërit refugjat. Dhe siç kemi dëgjuar sot nga ndërtuesit tanë të paqes, madje edhe të jesh dëshmitar i përdhunimit të nënës sate – ajo dhimbje nuk shuhet kurrë. Janë pyetjet që nuk marrin përgjigje. Janë të ardhmet që nuk marrin kurrë formë të plotë. Janë fëmijët ata që e bartin barrën e luftës në moshën e rritur. Por fëmijët nuk janë vetëm viktima. Ata janë gjithashtu ndërtues të ardhshëm të paqes, presidentë të ardhshëm, mbrojtës të drejtësisë. Prandaj, nëse nuk investojmë në ta sot, i lëmë konfliktet të formësojnë të nesërmen. Për këtë arsye ekziston ky forum. Për të ngritur zërat që lufta u përpoq t’i heshte. Për të fuqizuar ata që refuzuan të thyhen. Për të ndërtuar të ardhme atje ku të tjerët u përpoqën të mbjellin frikë dhe dhimbje”, tha Osmani.

Scroll to Top