Osmani: Dialogu të përqëndrohet në njohjen reciproke, suksesi varet edhe nga trajtimi i barabartë i palëve

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

14 janar 2026

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.

Presidenca njofton se gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit politike në Kosovë, proceset zgjedhore, situata e sigurisë, raportet me Bashkimin Evropian, si dhe e ardhmja e dialogut me Serbinë.

Presidentja ka theksuar se dialogu duhet të jetë i përqëndruar në njohjen reciproke dhe se suksesi i tij varet edhe nga trajtimi i barabartë i palëve.

“Në takim, Presidentja Osmani, theksoi se procesi i dialogut duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe se suksesi i dialogut varet edhe nga trajtimi barabartë i palëve. Ajo potencoi se Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Osmani tha se procesi i dialogut duhet të ketë objektiva të qarta dhe rezultate të matshme në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar se interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton procesin.

Ajo gjithashtu përshëndeti vendimin e BE-së për heqjen e masave ndaj Kosovës.

“Më tej, Presidentja Osmani e informoi z. Sørensen për zhvillimin e suksesshëm, demokratik dhe gjithëpërfshirës të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Kosovë dhe vlerësoi se zgjedhjet dëshmuan pjekurinë demokratike të shtetit dhe funksionimin e institucioneve në përputhje të plotë me standardet evropiane.

Në takim u diskutuan gjithashtu marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Presidentja Osmani përshëndeti vendimin e dhjetorit për heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës, të shpallur në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt rivendosjes së partneritetit të plotë dhe të barabartë ndërmjet Kosovës dhe BE-së”, thuhet në njoftim të Presidencës.

“Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, Presidentja Osmani theksoi se dhënia e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri strategjike, jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit dhe kredibilitetin e vetë BE-së. Presidentja Osmani vuri në pah përputhshmërinë e plotë të Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, bilancin e dëshmuar demokratik dhe vrullin e reformave në vend. Presidentja theksoi se do të vazhdojë të punojë me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për avancimin e statusit kandidat të Kosovës, pa vonesa të mëtejme”.

Scroll to Top