Orav: Kosova ka nevojë për qeveri stabile dhe dialog të vazhdueshëm me Serbinë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

25 nentor 2025

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka theksuar nevojën urgjente që vendi të ketë një qeveri funksionale dhe të qëndrueshme, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut me Serbinë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Deklaratat ai i bëri gjatë Samitit të Paqes dhe Demokracisë në Kosovë (KPDS), me temën “Çrregullim i ri botëror: dezinformim, mosbesim dhe çmontim i normave demokratike”.

Orav paralajmëroi se dezinformimi, polarizimi dhe sulmet ndaj normave demokratike po minojnë besimin qytetar dhe institucionet demokratike, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin. Ai vuri në dukje se sipas gjetjeve të organizatave si Hybrid.info, fenomeni i dezinformimit në vend është veçanërisht i përhapur rreth zgjedhjeve dhe çështjeve të sigurisë.

Sipas ambasadorit, hapësira informative në Kosovë mbetet e brishtë përballë manipulimit dhe ndikimeve të jashtme, ndërsa mungesa e edukimit medial në shkolla i ekspozon qytetarët ndaj lajmeve të rreme. Ai theksoi se Kosova renditet e 40-ta nga 41 vende në Indeksin Evropian të Edukimit Mediatik, çka tregon se kapacitetet e verifikimit të fakteve dhe vetëdijes mbi mediat janë ende të kufizuara.

Duke vlerësuar rolin e shoqërisë civile, Orav tha se organizatat e pavarura, gazetarët dhe verifikuesit e fakteve janë thelbësorë për mbrojtjen e demokracisë, transparencës dhe sundimit të ligjit. Ai shtoi se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë sektorin civil dhe përpjekjet e tij për të luftuar dezinformimin.

Në fund, ambasadori përsëriti se ecuria e Kosovës drejt Bashkimit Evropian varet nga reformat e brendshme dhe progresi në dialogun me Serbinë. Ai theksoi se Prishtina ka bërë hapa përpara, por thelbësore është krijimi sa më shpejt i një qeverie të re që do të jetë partnere e BE-së në proceset integruese.

Scroll to Top