Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
18 dhjetor 2025
Prishtinë – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka reaguar fuqishëm ndaj vendimit të fundit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për vendosjen e masave administrative që përcaktojnë marzha maksimale tregtare për produktet e naftës.
Në një komunikatë, Oda rithekson se Kushtetuta e Kosovës garanton një ekonomi të tregut të lirë dhe konkurrencë të drejtë, duke kufizuar ndërhyrjen e shtetit në përcaktimin e çmimeve vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe të përcaktuara qartë. Sipas Odës, vendimi i qeverisë në detyrë përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në treg dhe cenon parimet kushtetuese të lirive ekonomike, sigurisë juridike dhe konkurrencës së lirë.
Oda gjithashtu vë në dukje se qeveritë në detyrë duhet të veprojnë me kujdes dhe të shmangin miratimin e vendimeve që ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme aktivitetin ekonomik, strukturën e tregut ose të drejtat dhe detyrimet e aktorëve privatë. Një aktgjykim i Gjykatës Supreme të Kosovës riafirmon këtë qasje, duke vendosur se vendimet me ndikim të gjerë ekonomik janë të rezervuara për qeveritë me mandat të plotë dhe legjitimitet demokratik.
Përtej shqetësimeve ligjore dhe institucionale, Oda Amerikane thekson se çmimet e karburanteve varen nga një sërë faktorësh të jashtëm dhe strukturalë, përfshirë tregjet ndërkombëtare të naftës, zhvillimet gjeopolitike, zinxhirët e furnizimit, kostot e transportit dhe luhatjet valutore. Kufizimet administrative të marzhave nuk pasqyrojnë këto realitete dhe mund të çrregullojnë tregun, të dekurajojnë konkurrencën dhe të rrezikojnë furnizimin e vendit, i cili është shumë i varur nga importi.
Oda Ekonomike Amerikane u bën thirrje institucioneve të rishqyrtojnë vendimin, të shfuqizojnë masat administrative dhe të adresojnë shqetësimet e tregut përmes transparencës, dialogut me sektorin privat dhe respektimit të garancive kushtetuese për një ekonomi të lirë dhe konkurruese.

















