paqe 583x350 1

Një vit nga vrasja e Liridona Ademjat: Vonesa për ngritjen e aktakuzës, dështim për të mbrojtur gratë

Ngritje të aktakuzës dhe më pas dënim maksimal po kërkohet për vrasjen e Liridona Ademajt, një vit pas rastit tragjik.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit të kaluar në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Edhe pas një viti, Prokuroria nuk ka ngritur aktakuzë derisa janë tre persona të dyshuar për këtë vrasje – në mesin e tyre edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.

Rastin e 39-vjeçares, Policia e Kosovës fillimisht e kishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Më 1 dhjetor policia arrestoi bashkëshortin e saj, si i dyshuar për këtë rast.

Pas tij u arrestuan edhe Granit Plava që dyshoi se kreu vrasjen, dhe Kushtrim Kokalla si i dyshuar për ndihmë në kryerjen e veprën penale.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë thonë për KosovaPress se janë në fazën e hetimeve.

“Lidhur me lëndën për të cilën keni kërkuar informata, Prokuroria Themelore në Prishtinë ju informon se çështja penale është në fazën e hetimeve, ndërsa në momentin e vendosjes lidhur me këtë çështje do të mund të japim më shumë informacione”, thotë Prokuroria Themelore në një përgjigje me shkrim.

Edhe një vit pas vrasjes, vëllai i Liridonës, Leondard Ademaj po vazhdon të kërkojë ngritje sa më parë të aktakuzës.

Nisja e këtij procesi gjyqësor, thotë ai, do të ishte lehtësim për familjen.

“E kuptojmë që prokuroria duhet të përgatisë aktakuzën sipas ligjit dhe në mënyrë profesionale dhe për këtë ka afat ende në bazë të ligjit. Por, ngritja e një aktakuze sa më shpejtë dhe dënimi maksimal që parasheh Kodi Penal i RKS-së është një lehtësim për ne si familje dhe për gjithë popullin sakrifikues e dashamirës të Kosovës. Vrasja e Liridona Ademaj ka ndodhur në bashkëkryerje duke u planifikuar, duke u gjetur ekzekutori, duke blerë armën dhe se bashku te tretë duke organizuar dhe ekzekutuar vrasjen e gruas së bashkëkryesit Naim Murseli, sipas porosisë së tij në mënyrë shumë dinake”, thotë për KosovaPress Leonard Ademaj.

Vonesën e ngritjes së aktakuzës e shohin shqetësuese edhe organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës thotë për KosovaPress se çdo zvarritje nga sistemi i drejtësisë është ngarkesë dhe stres për familjen, por edhe dështim i organeve për të mbrojtur gratë.

“Është shumë shqetësues jo vetëm ky rast, por të gjitha rastet kur kemi të bëjmë me vrasjet e grave çdo zvarritje është edhe zvarritje e prurjes së drejtësisë, është një stres dhe ngarkesë shtesë për të gjithë anëtarët e familjes të së ndjerës, dhe po ashtu është një dështim i sistemit të drejtësisë për t’i mbrojtur gratë edhe në rastet kur pritet dhe ka dëshmi dhe ka prova këto raste të marrin një epilog sa më shpejt dhe në këtë rast të ngritët edhe aktakuza. Unë mendoj që prokuroria deri më tash është dashur t’i shterë të gjitha burimet e hetimit dhe tashmë ta nxjerr një aktakuzë…aty nuk ka shumë hapësirë për dyshime duhet menjëherë të merret një vendim dhe kryesitë e kësaj vrasje të marrin dënimin që meritojnë“, theksoi ajo.

Sipas avokatit Musa Damati, prokuroria është dashur të jetë më transparente.

“Afati i hetimeve mund të zgjas deri në dy vite, apo e njëjta mund të vazhdohet edhe për një vit më tepër. Mirëpo kjo mund të ndodh në rastet kur kemi të bëjmë me hetime komplekse të ndërlikuara, apo në rastet kur kërkohet ndihma juridike ndërkombëtare për përfshirjen në trafikim ndërkombëtarë. Dhe unë mendoj se në rastin konkret nuk ekziston asnjëri nga këto elemente që një hetim për të cilin ka njohur pothuajse edhe opinioni publik duhet të zgjat më tepër se 1 vit. Andaj, edhe konsideroi se prokuroria, organi i akuzës të jetë shumë më azhur dhe shumë më transparent në raport me opinionin publik sidomos në çështjet e ndjeshme këtë e kërkon interesi i drejtësisë dhe interesi qytetarëve të Kosovës”, theksoi ai.

Liridona Ademaj ka lënë mbrapa dy fëmijë.

Vëllai i saj, thotë se të njëjtit janë nën kujdes të institucioneve kompetente në Suedi.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me fëmijët të cilët gjendën nën kujdesin e socialit dhe organeve kompetente në Suedi të cilit i falënderojmë për angazhimin e tyre. Fëmijët i brengosë më së shumti fakti se ishin ne veturë dhe se si babai i tyre e shtrëngoi krahun e nënës së tyre në momentin kritik që vrasja të kryhet sa më lehtë”, theksoi ai.

Sipas psikologut Ilir Havolli, në rastet kur fëmijët janë të pranishëm kur ndodh rasti tragjik, nevojitet trajtimi i tyre.

“Kur jemi tek vrasjet ku prezent janë edhe fëmijët kjo është pjesa më e dhimbshme e shoqërisë, sepse ne si shoqëri faktikisht merremi me drejtimin e shkaktarit dhe shkaktarët dhe viktimës, por në këtë rast i harrojmë trajtimin e fëmijëve, nëse ne nuk merremi me trajtimin e fëmijëve në këtë rast këtyre dy personave apo dhe shumë personave tjerë atëherë kjo nënkupton që këta fëmijë herët apo vonë do të përjetojnë situatë stresit pas-traumatik dhe në një të ardhme, ku këta fillojnë të rriten do ta pranojnë me kalimin e kohës dhunën si opsion për zgjidhjen e situatave të ndryshme, dhuna do të jetë opsion i pranuar dhe problemet do ti zgjedhin përmes dhunës”, thotë Havolli.

Vrasja e Liridonës është dënuar nga qytetarë e institucione, duke kërkuar dënim maksimal për kryesit e veprës./KP/.

Scroll to Top