Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
11 mars 2025
Nuk është hera e parë që kosovarët presin sa her që ka ndonjë proces madhor, por kësaj radhe iu duhet të presin edhe për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve.
Nuk mbahen mend ndonjëherë rezultate më të vonuara se këtë herë.
Ka kaluar tashmë një muaj që nga dita kur qytetarët iu drejtuan kutive të votimit për subjektin e tyre politik dhe për kandidatët për deputetë. E pavarësisht se kohë e gjatë ka kaluar, siç duket certifikimi i rezultateve është ende larg.
Pas përfundimit të numërimit të votave, shumë prej kandidatëve dhe partive politike zgjodhën që të ankoheshin e të rekomandonin diçka të re.
Pikërisht më 5 mars kur edhe përfundoi numërimi i të gjitha fletëvotimeve të zgjedhjeve parlamentare parashihej edhe publikimi i rezultateve, por kjo nuk ndodhi.
E gjithë kjo për shkak të ankesave që patën përfaqësuesit e ndryshëm të partive politike.
Dje në mbledhjen e KQZ-së, anëtari i PDK-së, Arianit Elshani ka prezantuar dy rekomandime. Rekomandimi i parë ishte që të rinumërohen 15 kuti votimi pasi sipas tij ka pasur mospërputhje në listën e nënshkrimeve.
“Janë identifikuar 15 vendvotime në të cilat ka mospërputhje mes një nënshkrimi dhe dy nënshkrime, pra dy nënshkrime në listën e nënshkrimeve dhe një fletëvotim ose dy më pak, ose më shumë, në kutinë e votimit”, tha Elshani.
Rekomandimi i dytë ishte për rinumërimin e 35 kutive në komunën e Vushtrrisë, të cilat më herët ishin numëruar me vendim të prokurorit. Ky rekomandim ka të bëjë me mospërputhje që kishte në rezultatet e kandidatëve për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Këtë raport të mospërputhjeve apo të ndryshimeve mes rezultateve në Qendrat Komunale të Numërimit dhe rezultatet e dala nga hetimi në Qendrën për Numërim dhe Rezultate ka ardhur si rekomandim që 35 vendvotime për të cilat vërehet, pra është me e dukshme diferenca mes votave të kandidatëve, të shkojnë në rinumërim të plotë në Vushtrri për të gjitha subjektet politike dhe kandidatët”, tha Elshani.
Pas kësaj, drejtori i sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala tha se janë të gatshëm që të nisin rinumërimin e këtyre kutive të votimit dhe kësisoj u vendos.
Komisioni Qendror Zgjedhor njoftoi se ka nisur procesi i rinumërimit të fletëvotimeve nga 50 vendvotime të rregullta.
Përpos kësaj, ishte edhe vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për kërkesën e VV-së që të hapen 177 kuti të votimit, nga votimi prej jashtë që të rinumërohen 1 mijë e 631 fletëvotime të pavlefshme.
Buzhala deklaroi se po presin që të përfundojë afati i ankesave në Supreme në lidhje me këto raste.
“Nesër mund të fillojmë me hapjen e 177 kutive me qëllim vlerësimin e fletëvotimeve të pavlefshme në përputhje me vendimin e PZAP-së, ose më së voni të mërkurën në mëngjes”, tha ai.
Kësisoj përpos problemeve të shumta që pati natën e zgjedhjeve në kuadër të ueb-faqes së KQZ-së ku publikoheshin rezultate dezinformatë e më pas faqja s’bënte fare, publikimi i rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre mbetet ende peng dhe nuk dihet se kur do të jetë momenti që partitë politike të flasin për formimin e qeverisë.
Kryeministri Albin Kurti është pyetur dje në lidhje me bashkëbisedimet me partitë politike në lidhje me këtë çështje, por ky i fundit tha se njëherë duhet pritur rezultatet e para, ato preliminare e më pas certifikimin e tyre