Nisin punimet në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë, nga LVV thonë se projekti ka probleme ligjore dhe kosto të lartë

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

11 mars 2025

Ditën e hënë kanë nisur punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, në Prishtinë. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nisjen e punimeve e quajti një hap të madh drejt transformimit të kësaj hapësire.

Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se mbështesin çdo projekt që bëhet për qytetin, por në rastin në fjalë kanë disa shqetësime. Asambliesti në Komunën e Prishtinës, Gezim Sveçla, ka thënë se projekti për transformimin e sheshit ka probleme ligjore.

“Si Lëvizje VETËVENDOSJE! e si qytetar të Prishtinës, i gëzohemi çdo projekti që bëhet për qytetin. Natyrisht, janë disa komponente që projekti ose projektet duhet t’i kenë në mënyrë që ta kenë përkrahjen tonë. Fillimisht duhet të jetë në rregull në aspektin ligjor, duhet të ketë kosto reale dhe të përballueshme për buxhetin e qytetit dhe të jetë në shërbim të qytetarëve në atë kuptim që e lehtëson përditshmërinë e tyre”, ka thënë ai.

Sveçla deklaroi se te rasti i sheshit “Xhorxh Bush” duket se ka probleme në të gjitha këto komponente e lartëpërmendura.

“Ka probleme ligjore në aspektin e pronësisë – një pjesë e pronës ku do të ndërtohet është pronë e Radio Kosovës dhe ajo pronë menaxhohet nga AKP-ja, pastaj ka edhe disa dyqane afër shkollës “Faik Konica” e që me vendime gjyqësore janë prona private.

Sipas tij  kostoja e projektit, 18.1 milionë euro për një hapësirë jo aq të madhe është çmim shumë i lartë.

Ndonëse ai tha se mbështesin krijimin e hapësirave të reja për këmbësor, por paralelisht me këtë duhet krijuar edhe rrugë të reja për komunikacionin.

Si përfundim, Sveçla thotë se ky projekt nuk do të përfundojë gjatë mandatit të Përparim Ramës.

“Në përgjithësi, edhe ky projekt, si shumë të tjera deri më tani, nuk do të përfundoj gjatë mandatit të .Rama. Do të ketë ngecje e stagnim të punëve që rrjedhimisht do ta vështirsojnë jetën e banorëve të Prishtinës dhe do të ndikojnë negativisht në afarizmin e shumë bizneseve që ndodhën në atë pjesë”, theksoi ai.

Ndryshe, të hënën, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama deklaroi se ky projekt do të prekë disa zona kyçe të qytetit, përfshin edhe sheshin “Zahir Pajaziti” dhe një pjesë të Bibliotekës Kombëtare, duke ofruar një ndryshim të dukshëm për infrastrukturën dhe pamjen e qytetit.

Projekti do të përfundojë pas 240 ditëve të punës, dhe kap shifrën prej 18.1 milionë eurosh.

Rama shpjegoi se materiali kryesor që do të përdoret është guri i trashë 80 mm, që do të ndihmojë gjithashtu në menaxhimin e ujërave të reshura.

Scroll to Top