Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
11 shkurt 2026
Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka mbajtur një takim me grupin koordinues për rishikimin e kurrikulave lëndore dhe programeve mësimore në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët. Ky proces ka për qëllim adresimin e mangësive strukturore në përmbajtjet mësimore dhe uljen e mbingarkesës së nxënësve.
Grupi koordinues do të udhëheqë dhe mbikëqyrë rishikimin e kurrikulave, duke koordinuar nëngrupe profesionale sipas fushave mësimore, ofruar udhëzime metodologjike dhe garantuar koherencën e procesit në të gjitha fazat.
Ministrja Nagavci theksoi se ky nuk është një proces formal apo teknik, por një ndërhyrje e domosdoshme për të përmirësuar cilësinë e arsimit, për të eliminuar përsëritjet e panevojshme dhe mungesën e koherencës në mësimdhënie.
Përfshirja e publikut do të jetë pjesë kyçe e procesit, me të paktën tetë debate publike, shtatë prej tyre në rajone të ndryshme të vendit, ku mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, ekspertët dhe qytetarët do të kenë mundësinë të kontribuojnë.
Procesi pritet të përmbyllet me një raport gjithëpërfshirës me gjetje dhe rekomandime konkrete deri në fund të muajit prill, duke garantuar transparencë dhe vendimmarrje të bazuar në evidencë. Ministria synon të ndërtojë një sistem arsimor funksional, bashkëkohor dhe të përshtatshëm për nevojat e nxënësve dhe mësimdhënësve.




















