Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
24 qershor 2025
Është vënë gur themeli për depon e re qendrore të barnave në Kosovë, një projekt që synon të garantojë kushte të sigurta dhe standarde ndërkombëtare për ruajtjen e barnave.
Në ceremoninë e organizuar në Fushë-Kosovë, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se ky projekt po i jep fund praktikës shumëvjeçare të ruajtjes së barnave në ambiente të papërshtatshme dhe të pasigurta.
“Jemi këtu në Fushë-Kosovë për ta bërë përurimin e fillimit të punimeve për depon e re të barnave në Kosovë. Që nga privatizimi i ‘Farmedit’ në vitin 2005, barnat në Kosovë janë mbajtur në ambiente të pasigurta, të papërshtatshme, me lagështi e rrjedhje uji. Ky objekt në Fushë Kosovë është pranë KQZ-së dhe këtu do të ruhen barnat sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. Punimet do të zgjasin 6 muaj, rreth 180 ditë, që do të thotë se aty nga viti i ri do ta bëjmë edhe përurimin e objektit të përfunduar. Ndërkaq, kostoja e gjithmbarshme është 1 milion e 770 mijë euro përafërsisht”, tha Kurti.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se ky është një moment i veçantë dhe emocional për të, duke theksuar rëndësinë që ka depoja për përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor.
“Ky projekt është një prej projekteve më të rëndësishme në shëndetësinë kosovare, pasi ka të bëjë me ruajtjen e barnave, që ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në cilësinë e shërbimeve për pacientët dhe qytetarët tanë. Për më shumë se 20 vjet, barnat janë ruajtur në ambiente aspak të përshtatshme për ruajtjen e tyre, në një ambient që nuk i plotëson kushtet. Më në fund, po ndërtohet një depo qendrore që do të jetë moderne. Do të kenë të integruara edhe sisteme të ndryshme digjitale që do të mundësojnë ruajtjen e barnave dhe menaxhimin e distribuimit sa më të mirë të tyre”, tha Vitia.
