Ngritet aktakuzë ndaj grupit kriminal për sulmin në kanalin e “Ibër Lepencit”

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

09 dhjetor 2025

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave – J.V., D.V. dhe I.D. – pas një hetimi të përbashkët me Policinë e Kosovës, Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe partnerët evropianë.

Të pandehurit ngarkohen me disa vepra të rënda penale, përfshirë “Rrezikim të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve publike”, të lidhur me “Kryerjen e veprës terroriste”, si dhe “Armëmbajtje pa leje”. Përveç këtyre, J.V. akuzohet edhe për “Spiunazh”.

Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë të Zubin Potokut, J.V. dhe D.V., bashkë me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv TNT në brendësi të kanalit të ujit “Ibër-Lepenc”.

Ata dyshohet se e aktivizuan mjetin shpërthyes përmes një çante të lidhur me litar në një shtyllë betoni. Si pasojë e shpërthimit, u dëmtua rëndë struktura e kanalit, u ndërpre furnizimi me ujë të pijshëm dhe u rrezikua prodhimi i energjisë elektrike. Ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” i është shkaktuar dëm material prej 376,774.70 euro.

Ndryshe, të tre personat akuzohen gjithashtu për armëmbajtje pa leje, ndërsa ndaj J.V. rëndon edhe akuza për spiunazh, që konsiderohet ndër veprat më të rënda në Kodin Penal.

Aktakuza tashmë është dorëzuar në gjykatë dhe pritet caktimi i seancës së parë ndaj të pandehurve.

Scroll to Top