Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
20 gusht 2025
Në Kosovë po rriten dyshimet për praninë e disa mjekëve nga rajoni, që po ushtrojnë profesionin në spitalet private me diploma ose licenca të dyshimta ose të falsifikuara.
Ky fenomen shqetësues ngre pyetje serioze mbi sigurinë e pacientëve dhe kontrollin e institucioneve shëndetësore, duke sfiduar besueshmërinë e sistemit shëndetësor privat në vend.
Burime të portalit kanë ngritur alarmin se ka mjekë të cilët janë të angazhuar në institucionet shëndetësore private në vend e kanë falsifikuar diploma, për të cilat nuk kanë përgatitje institucionale.
Dyshimet janë se këta persona që po keqpërdorin profesionin e mjekëve kryesisht vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Turqia dhe ka të tillë që tashmë punojnë në një prej spitaleve më të njohura private në vend.
Autoritetet dhe ekspertët e fushës janë vënë në alarm prej kohësh, duke kërkuar verifikime më të rrepta për kualifikimet e profesionistëve shëndetësorë që punojnë në Kosovë.
Një burim i “Zërit” ka thënë se shumë mjekë të huaj që po ushtrojnë aktivitetin e tyre me diploma të specializimit mjekësor të falsifikuara ose edhe me licenca që nuk përmbushin kushtet për të ushtruar profesionin sipas ligjit.
Derisa në Kosovë është bërë pak nga institucionet shtetërore për të luftuar këtë rrezik dhe mjekët e tillë vazhdojnë të ushtrojnë profesionin jashtëligjshëm, shtetet e evropianë kanë ngritur alarmin për këtë.
“Prej disa muajsh disa vende evropiane kanë ngritur alarmin që shumë mjekë që kanë mbaruar në shtetet si Maqedonia, Bullgaria dhe Turqia janë paraqitur nëpër shtete evropiane me diploma të specializimit mjekësor të falsifikuara. Për këtë ka filluar procesi i kontrollit të dokumentacionit te të gjithë mjekëve të huaj, sidomos nga këto vende”, ka thënë një burim në kushte anonimiteti.
Është kontaktuar dhe Inspektorati Shëndetësor, i cili është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili ka thënë se zhvillojnë inspektime dhe kanë angazhime të vazhdueshme në lidhje me mjekët e huaj.
“Gjatë këtyre inspektimeve janë identifikuar raste të ndryshme dhe janë ndërmarrë masa në përputhje me legjislacionin në fuqi”, kanë thënë nga Inspektorati, duke mos specifikuar se sa raste të tilla ka identifikuar deri më tash.
Derisa profesionistët shëndetësorë nga Kosova po migrojnë me të madhe në shtetet e BE-së, kryesisht në Gjermani, mjekë të papërgatitur profesionalisht nga vendet si Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Bullgaria po vinë në Kosovë për të mbajtur “gjallë”, sektorin privat.
Inspektorati i Shëndetësisë ia konfirmoi “Zërit” se një rast është evidentuar me licencë të falsifikuar, për çka janë marrë masa ligjore.
“Sa u përket licencave të falsifikuara, gjatë inspektimeve është evidentuar së paku një rast me dyshime për falsifikim të licencës. Në këtë rast është bërë njoftimi i organeve kompetente dhe janë ndërmarrë masat ligjore në bazë të kompetencave të Inspektoratit Shëndetësor”.
Sigurisht, mashtrimet në sektorin privat nuk vinë vetëm nga jashtë, se Kosova është e paprekshme në këtë drejtim, tregon rasti më i freskët për ushtrim të profesionit të mjekut, pa pasur asnjë përgatitje profesionale, ky rast është zbuluar në qershor të këtij viti. Prokuroria ka ngritur tashmë aktakuzë ndaj pandehurit A.R., nga Ferizaj, i njëjti kishte punuar si mjek që nga korriku i vitit 2016, edhe pse nuk ka qenë asnjëherë i regjistruar si student dhe nuk ka përfunduar ndonjë program studimi.
Ai për tetë vjet kishte ushtruar profesionin e mjekut pa pasur asnjë përgatitje profesionale në këtë drejtim, kjo vë në pah edhe neglizhencën që institucionet shtetërore i bëjnë këtij fenomeni të rrezikshëm.

















