Ngacmimet seksuale në Kosovë-Gratë në veri të vendit dëshmojnë për ngacmime seksuale, Policia iu bën thirrje për bashkëpunim

Koha e parashikuar e leximit: 6 minuta

15 maj 2025

Ngacmimet seksuale ndaj grave janë shpeshtuar në numër andaj raportimi i rasteve të tilla në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës ka rritur shqetësim, ndërsa viktimat flasin për frikë, zemërim dhe mungesë të thellë besimi në institucionet që, sipas tyre, nuk reagojnë siç duhet.

Teksa Policia e Kosovës iu bën thirrje qytetarëve të raportojnë rastet, nga komuniteti lokal serb dëgjohen propozime për formimin e “rojeve të lagjes”, si një alternativë, për shkak të mungesës së besimit në Policinë e Kosovës. Gjithashtu, kërkohet reagimi i përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Policia ka njoftuar se më 13 maj, në Mitrovicën e Veriut, ka arrestuar një person të dyshuar për ngacmim të grave, ndaj të cilit është shqiptuar një gjobë dhe është vendosur ndalim prej 48 orësh për shkak të kërcënimeve.

Çfarë thonë viktimat?

“Është një përzierje emocionesh negative – ka frikë, ka zemërim”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) një bashkëbiseduese nga njëra prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, duke përshkruar një situatë të pakëndshme që thotë se e ka përjetuar para dy javësh.

Ajo tregon se disa burra të panjohur, nga një veturë, i kishin hedhur komente seksiste të papërshtatshme. Sipas rrëfimit të saj, ajo ishte ndjekur nga një furgon me disa burra që i flisnin në gjuhën shqipe dhe e ftonin të hipte në veturë.

“Vazhdoja rrugën dhe, kur u largova mjaftueshëm, më shkoi ndër mend se do të duhej t’i fotografoja targat. As që më shkoi mendja në atë moment”, thotë ajo për REL-in. Ajo pretendon se ka pasur përvoja të ngjashme edhe më parë – i janë drejtuar edhe në serbisht, por, sipas theksit dhe shqiptimit, ka kuptuar se nuk ishte gjuha e tyre amtare.

Identiteti i saj i plotë i është i njohur redaksisë së REL-it, por ajo ka pranuar të flasë vetëm në kushte anonimiteti, sepse nuk dëshiron të përjetojë shqetësime shtesë.

Për të njëjtën arsye, kjo 25-vjeçare nuk i ka raportuar rastet e ngacmimit në Policinë e Kosovës, sepse, siç thotë, nuk ka besim në këtë institucion.

Policia e Kosovës, e cila është multietnike, përballet vetë me sfida në pjesën e vendit të banuar kryesisht nga serbët – veçanërisht në dy vjetët e fundit, prej kur Qeveria e Kosovës po përpiqet të vendosë kontroll të plotë mbi sigurinë, dhe të eliminojë mbetjet e një pushteti paralel – midis institucioneve të Kosovës dhe atyre të financuara nga Serbia.

Këto rrethana kanë krijuar një ambient në të cilin shumë gra përjetojnë ngacmime.

Një tjetër bashkëbiseduese e REL-it, e cila, po ashtu, insiston në anonimitet, thotë se çdo ditë përjeton “një formë shqetësimi” përmes komenteve të papërshtatshme apo gjesteve fyese.

“Më ngacmojnë edhe në serbisht, edhe në shqip, më ngacmojnë me gjeste, më dërgojnë puthje, më bëjnë shenjë që të futem në veturë”, rrëfen ajo, duke shtuar se më shumë u frikësua kur, në një rast, iu bë një gjest që imitonte formën e një arme zjarri.

“Unë nuk mund të bëj asgjë, nuk mund t’i tregoj as babait, sepse nuk e di si do të reagojë”, shton ajo.

As ajo nuk e ka informuar Policinë e Kosovës për këtë.

Çfarë thotë Policia?

Policia e Kosovës thotë se trajton seriozisht të gjitha rastet e ngacmimit seksual, por shpesh mungojnë provat për të vërtetuar pretendimet e viktimave. Zëvendësdrejtori për rajonin e veriut, Veton Elshani, u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë ngacmimet, pasi pa kallëzim nuk mund të merren masa.

Ai përmend një rast kur dy djem ngacmuan vajza me motor, por si nuk pati denoncim, nuk u morën masa për ngacmim – megjithatë, motorët iu konfiskuan për shkelje doganore. Elshani shton se Policia vepron edhe në mënyrë parandaluese, duke intervistuar të dyshuarit, edhe kur mungojnë provat. Si shembull, ai përmend rastin e 13 majit në Mitrovicë, kur u arrestua një person pas një kallëzimi qytetar.

Aktivistet: Nevojitet zbatim i ligjit dhe bashkëpunim me komunitetin

Aktivistet Luljeta Demolli dhe Ruzhica Simiq thonë për REL-in se ngacmimet seksuale në veri të Kosovës po rriten dhe institucionet nuk po reagojnë siç duhet.

Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore thekson se shumë gra nuk dinë ku të kërkojnë ndihmë, nuk raportojnë për shkak të stigmës dhe mungesës së besimit në institucione. Ajo kërkon ndëshkim për autorët dhe më shumë punë me komunitetin për të inkurajuar denoncimin.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, ngacmimi seksual përfshin sjellje verbale, joverbale apo fizike që cenojnë dinjitetin e viktimës dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në pesë vjet.

Simiq nga organizata “E Drejta e Grave” në Mitrovicën e Veriut thotë se fenomeni është i ri në veri dhe se mungon vullneti institucional për ta luftuar. Ajo thekson se gratë serbe ndihen të pambrojtura, ndërsa ngacmimet ndodhin në mënyrë agresive dhe poshtëruese, duke lënë pasoja të rënda.

Thirrje për reagim nga EULEX-i

Më 12 maj, disa OJQ serbe në veri të Kosovës iu drejtuan publikisht EULEX-it dhe komunitetit ndërkombëtar, duke kërkuar monitorim dhe veprime konkrete ndaj ngacmimeve seksuale ndaj grave. Ato kritikojnë Policinë e Kosovës për mungesë vullneti dhe dështime sistematike në mbrojtjen e qytetarëve, sidomos nga komunitetet joshumicë.

Në deklaratë përmendet edhe presioni ndaj dëshmitarëve dhe përpjekjet për relativizim të rasteve nga vetë policët. REL-i ka kërkuar përgjigje nga EULEX, por ende nuk ka marrë një.

Ndërkohë, politikani serb Aleksandar Arsenijeviq propozoi krijimin e “rojeve të lagjes” si një zgjidhje alternative për të monitoruar dhe raportuar ngacmimet. Ai akuzon disa policë për vonesa të qëllimshme dhe mosreagim, duke e cilësuar këtë si një model shqetësues tolerimi ndaj ngacmimeve.

Scroll to Top