Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
31 tetor 2025
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar për vendimet që u morën sot në mbledhjen e Qeverisë, teksa e ka nisur me miratimin e projektbuxhetit për vitin 2026 në vlerë rreth 4 miliardë euro.
Kurti ka thënë se nga kjo shumë, rreth 1 miliard euro janë investime kapitale.
Ai ka thënë se me këtë buxhet nga viti tjetër fillon dhënia e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik, shkruan Reporteri.net.
“Gjithashtu, fillon zbatimi i rritjes së pagës bazë me 0.5% për çdo vit përvojë pune, për dallim prej asaj që ishte më herët ku për 15 vitet e para zbatohej rritja vetëm 0.25% për çdo vit përvojë pune.
Me vendimet tjera të mbledhjes së sotme”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka dhënë detaje edhe rreth vendimit për rritjen e pensioneve.
“Rritet pensioni minimal nga 120 në 150 euro, duke nisur nga muaji nëntor. Pensionin bazik të moshës e kemi gjetur 90 euro, po e bëjmë 150 euro – rritje prej 2/3. Kurse pensionin bazik për personat me aftësi të kufizuar e gjetëm 75 euro, po e bëjmë 150 euro – rritje prej 100%. Prej kësaj përfitojnë rreth 200 mijë pensionistë në kategoritë e pensioneve bazike, ato për personat me aftësi të kufizuara, për të rritur por edhe për fëmijë, pensionin familjar si dhe pensionin invalidor të punës”, ka shkruar Kurti.
Sa i përket vendimit pë rritjen e pagës minimale, Kurti ka sqaruar se kjo do të bëhet në dy faza.
“Rritet paga minimale nga 350 euro në 500 euro. Rritja do të bëhet në dy faza: nga 1 janari i vitit të ardhshëm paga minimale të jetë 425 euro, kurse nga 1 korriku ajo do rritet në 500 euro. Prej saj përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat. Kjo është hera e tretë që po e ngrisim pagën minimale gjatë qeverisjes sonë: paga minimale në vitin 2021 ishte 130/170 euro, në vitin 2026 do të jetë 500 euro”.
Shtesat për fëmijët janë rritur për 50 përqind, e që prekin rreth 400 fëmijë,
“Me këtë rritje, një nënë me dy fëmijë që këtë muaj ka marrë 40 euro, nga muaji tjetër do të marrë 60 euro. Një nënë me 4 fëmijë që këtë muaj ka marrë 120 euro, nga muaji nëntor do të marrë 180 euro në muaj, e kështu me radhë”, ka shkruar Kurti.
Në fund ka njoftuar se kanë miratuar buxhetet e vitit 2025 për komunën e Prishtinës, Gjilanit, dhe Zubin Potokut, në mënyrë që Kuvendi t’i bëjë pjesë të Ligjit për ndarje buxhetore të vitit 2025.
Është miratuar edhe Rregullorjambi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Mbështetjes Publike Financiare për Skenën e Pavarur Kulturore.

















