Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
08 janar 2026
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se nga dita e enjte do të ketë ndryshim të theksuar të kushteve meteroligjike, ulje të temperaturave, reshje bore dhe rrezik nga ngricat.
IHK-ja ka njoftuar gjithashtu se temperaturat minimale do të shënojnë ulje të theksuar, duke zbritur nën vlerat zero gradë celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton gjithashtu se gjatë orëve të para të ditës së enjte, reshjet ekzistuese të shiut pritet të kalojnë gradualisht në reshje bore.
Pas tre ditëve me reshje të dendura shiu, që kanë përfshirë kryesisht Rrafshin e Dukagjinit dhe, me intensitet më të ulët, edhe Rrafshin e Kosovës, gjatë natës pritet një ndryshim gradual i kushteve meteorologjike. Analizat sinoptike dhe vëzhgimet e fundit tregojnë se presioni atmosferik do të vazhdojë të bjerë, duke sinjalizuar afrimin e një sistemi frontal aktiv mbi rajon.
Ky zhvillim krijon kushte të favorshme për formimin e ngricave në rrugë, trotuare, ura dhe zona të ekspozuara ndaj lagështisë. Kombinimi i ngricave me shtresat e borës dhe erërat e ftohta mund të rrisë rrezikun për qarkullim të pasigurt në rrugë, ndaj qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme gjatë orëve të vona dhe në zonat më të rrezikuara.

















