Nga 1 qershori pritet kalimi në treg të hapur energjetik, ani pse pati kundërshtime

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

30 maj 2025

Përfaqësues të bizneseve i bllokuan të enjten përkohësisht hyrjet në kryeqytet, në shenjë proteste për liberalizimin e tregut të energjisë, për çka kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u lëshua në kritika ndaj Odës Ekonomike.

Drejtuesi i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, tha gjatë protestës se bizneset po detyrohen të dalin në tregun e lirë dhe se ato do të përballen me një çmim të ri të rrymës, “220 deri në 270 për qind më të lartë”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë e ka sulmuar Odën Ekonomike të Kosovës dhe bizneset, duke thënë se “po tentojnë t’i bllokojnë rrugët magjistrale”, duke kërkuar, siç tha, ta bartin koston e energjisë elektrike të 1200 ndërmarrjeve “te faturat e qytetarëve”.

Ai tha se “koha e barrikadave ka përfunduar dhe se ato nuk do të ngrihen më”.

“Për të mbrojtur 1% të ndërmarrjeve më të fuqishme, në kurriz të 99 përqindëshit dhe të familjeve anë e mbanë Kosovës, ata duan që të bëjnë barrikada në hyrjet e Prishtinës. Por koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar. I kemi hequr ato kudo ku kanë qenë dhe jemi zotuar që nuk do të lejojmë më të reja të vendosen. U bëjmë thirrje të gjitha odave dhe bizneseve të fillojnë të mendojnë mënyrë të mençur për efiçientën dhe optimizimin e shfrytëzimit të energjisë”, tha ai.

Scroll to Top