Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
28 tetor 2025
Nga 1 janari mund të mos ketë paga e pensione – rreziqet që i kanosen Kosovës në mungesë të buxhetit.
Për ekspertin e financave, Haki Shatri, shteti rrezikon të falimentojë, teksa mund të mos ketë para as për paga, e as për pensione e shtesa për fëmijët në fillimvitin e ardhshëm.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Shatri thotë se vetëm një qeveri me kompetenca të plota mund të ndërmarrë nisma për ndryshimin e ligjit për buxhetin, apo për vazhdimin e ndarjeve buxhetore edhe për muajt e parë të 2026-tës.
“Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje që të funksionalizohet një e dymbëdhjeta e buxhetit në janar, edhe tërmet të ketë, nuk guxon askush të ndërmarrë asgjë”, shprehet ai.
Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave thotë se pa një qeveri të re, në janari s’do të ketë para as për ushtrinë e Policinë.
Radio Evropa e Lirë: Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk i siguroi votat e nevojshme për krijimin e qeverisë se re. Më 30 tetor është afati i fundit për miratimin e buxhetit nga Qeveria, ndërsa Kuvendi duhet ta votojë atë deri më 31 dhjetor. Çfarë pasojash ekonomike mund të ketë, nëse ky proces nuk përmbyllet brenda afateve?
Haki Shatri: Afatet e rregullta për procedurat e miratimit të buxhetit në Kuvend janë këto. Në rast se nuk kemi një qeveri të plotfuqishme dhe me mandat të plotfuqishëm, e cila mund të procedojë një dokument me karakter ligjor, siç është buxheti, atëherë nuk ka kush ta dërgojë në Kuvend projektligjin për buxhetin, edhe nëse ai është përgatitur nga stafi civil brenda Ministrisë së Financave, apo nga organet kompetente për përgatitjen e tij.
Në këtë situatë, nuk ka kush ta propozojë ndryshimin e ligjit aktual për buxhetin. Si variant i mundshëm është një e dymbëdhjeta e buxhetit të këtij viti, për muajt janar dhe shkurt të vitit të ardhshëm. Proceduralisht, është propozim për ndryshimin e ligjit për buxhetin e këtij viti, pra ndjek të njëjtën procedurë sikurse miratimi i vetë ligjit për buxhetin. Nëse nga 1 janari s’ka qeveri të re, nuk do të ketë kush ta propozojë këtë vazhdim të shpenzimeve buxhetore dhe të parasë publike.
Vetëm qeveria me mandat të plotë “mund të ndryshojë ligjin për buxhetin”
Radio Evropa e Lirë: Në situatën aktuale, a ka të drejtë ligjore Qeveria në detyrë që të propozojë vazhdimin e shpenzimeve edhe për dy muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Haki Shatri: Në ligjin për buxhetin shkruan se [të gjitha ndarjet buxhetore për vitin fiskal 2025 skadojnë] më 31 dhjetor 2025. Qeveria e plotfuqishme del me një vendim që data 31 dhjetor të ndryshohet, dhe merret vendim që ligji për buxhetin 2025 vazhdon të zbatohet edhe në muajit janar dhe shkurt të vitit 2026, që i bie ndryshim i ligjit, do të thotë procedurë e njëjtë me miratim të ligjit. Qeveria [në detyrë e Kosovës] nuk e ka këtë të drejtë. Po flas tashmë jashtë përgjegjësisë profesionale që e kam, vetëm nëse deputetët i mbyllin sytë për arsye se iu cenohet paga ose disa interesa personale, dhe thonë “hajt, edhe pse nuk është në pajtim me ligjin, po e gëlltisim këtë variant”. Por, kjo është e jashtëligjshme. E them me përgjegjësi të plotë: është e jashtëligjshme.

















