Nesër seanca konstituive e Kuvendit, ende s’dihet kandidati për kryeparlamentar

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

14 prill 2025

Ndonëse ka mbetur vetëm edhe një ditë deri në seancën konstituive të Kuvendit, e caktuar për nesër në orën 10:00, Lëvizja Vetëvendosje, së cilës i takon posti i kryeparlamentarit, ende nuk e ka bërë publik emrin e kandidatit që pritet të votohet.

Katër pika i përmban rendi i ditës i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila shënon legjislaturën e nëntë, qysh prej themelimit të institucionit më 10 dhjetor 2001.

Në seancë fillimisht do të formohet komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të sapozgjedhur, ndërsa pas kësaj do të bëhet betimi i deputetëve.

Sipas Rregullores së Punës të Kuvendit, punimet e seancës konstituive, deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, i drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë, që në këtë rast janë deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari dhe deputetja e PDK-së, Sala Jashari.

Në pikën e tretë të rendit të ditës është paraparë të bëhet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Si pikë e fundit e rendit të ditës është edhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit, të cilët së bashku me kryetarin e përbëjnë Kryesinë e Kuvendit.

Ish-shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Vetëvendosjes i duhen edhe dy vota që të arrijë 61-shin, duke përfshirë këtu edhe tri votat e Nismës Socialdemokrate, për çka tha se Limaj ka shprehur gatishmëri, por që nuk ka marrëveshje të të finalizuar.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave dhe do t’i ketë 48 deputetë në Kuvend, domethënë nuk i ka marrë votat e nevojshme që të mundë ta formojë e vetme qeverinë.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka takuar përfaqësuesit e partive të komuniteteve joshumicë, ndërsa ftesë për konsultime i dërgoi edhe LDK-së, e cila e refuzoi.

Në bazë të këtyre rezultateve, ulëse në Kuvend ka fituar edhe Partia Demokratike e Kosovës me 24 deputetë, Lidhja Demokratike me 20 deputetë, si dhe koalicioni AAK-Nisma me 8 deputetë. /EO

Scroll to Top