Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
31. Gusht 2025
Nesër, më 1 shtator fillon viti i ri shkollor 2025/2026 në të gjitha shkollat e Kosovës, por problemet e zakonshme që e kanë përcjellë fillimin e vitit arsimor në vitet e kaluara, rrezikojnë të përsëriten sërish veçanërisht për sa i përket mungesës së teksteve shkollore.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, në një deklaratë për Telegrafin, ka shprehur shqetësim të thellë për situatën, duke theksuar se problemi më i madh me të cilin mund të përballen nxënësit dhe mësimdhënësit është mungesa e teksteve shkollore.“Halli më i madh do të jetë tekst shkollore. Kemi frikë se do të përsëritet gjendja e dy viteve të mëparshme, kur ka pasë vonesa me një muaj e më shumë,” ka deklaruar Jasharaj.
Sipas tij, edhe pse përgatitjet teknike për fillimin e vitit shkollor duket të jenë në vijë, problemet themelore si teksti, infrastruktura dhe dialogu me institucionet mbesin të pazgjidhura.
Jasharaj gjithashtu ka sqaruar se SBASHK-u nuk ka planifikuar ndonjë grevë për fillim të vitit shkollor, për shkak të mosfunksionimit të institucioneve shtetërore, veçanërisht pas zgjedhjeve të fundit dhe mungesës së konstituimit të qeverisë.“Me 20 gusht e mbajtëm takimin konsultativ me Kryesinë dhe me udhëheqësit sindikalë dhe erdhëm në përfundim se në mungesë të institucioneve, pra pa konstituimin e institucioneve, nuk kemi as me kë të dialogojmë e as të bëjmë veprime sindikale, sepse veprimet sindikale bëhen nëse nuk ka dialog. Tash nuk ka dialog, sepse nuk ka me kë SBASHK-u të zhvillojë dialog,” theksoi ai.