Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
03 qershor 2025
Ndërprerja e linjës hekurudhore izoloi banorët e fshatit Kojskë –
Nga viti 2010 deri më 2017, Valon Aliu nga fshati Kojskë i komunës së Lipjanit udhëtonte çdo ditë me tren për të ndjekur shkollën e mesme në Lipjan dhe më pas studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Treni ishte e vetmja formë e transportit publik për fshatin e tij.
“Në fshatin tonë nuk ka linjë autobusi. Treni vinte tri herë në ditë, stacionin e kisha afër dhe gjithmonë mbërrinte në kohë. Ishte deri në 30 për qind më i lirë se mjetet e tjera,” thotë Valoni për Radion Evropa e Lirë.
Por që nga viti 2020, gjithçka ndryshoi.
Treni u ndal dhe bashkë me të, edhe mundësia për transport publik për qindra banorë të zonës. Si shumë të tjerë, Valoni u detyrua të blejë veturë për të udhëtuar çdo ditë në vendin e tij të punës – një bankë komerciale në Lipjan.
Arsyeja për ndërprerjen e qarkullimit ishte nisja e punimeve për rehabilitimin e linjës hekurudhore Fushë Kosovë – Hani i Elezit, e njohur si Linja 10. Kjo linjë me gjatësi 149 kilometra është rrjeti i vetëm që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, përmes segmenteve ndërkufitare Fushë Kosovë – Hani i Elezit dhe Fushë Kosovë – Mitrovicë – Leshak.
Punimet për modernizimin e saj nisën në vitin 2019, me premtimet se do të përfundonin në vitin 2021. Por edhe në vitin 2025, linja mbetet e papërfunduar dhe jashtë funksionit.
Sipas një raporti të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), të publikuar në mars 2025, përfundimi i projektit nuk pritet të ndodhë as deri në vitin 2027, për shkak të zgjatjes së afateve nga autoritetet përgjegjëse. Marrëveshja financiare për këtë projekt ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016, ndërsa kontrata e parë për punimet ishte nënshkruar më 2019.
Pavarësisht kësaj situate, Valoni nuk e ka humbur shpresën për rikthimin e trenit.
“Në momentin që treni të funksionojë sërish, do të kthehem menjëherë ta përdor. Është më komod, më i sigurt, më ekonomik dhe më i shpejtë. Nuk ka pasur kurrë vonesa,” shprehet ai.
Banorët e fshatit Kojskë dhe zonave përreth vazhdojnë të mbeten pa asnjë formë transporti publik, duke u përballur me vështirësi të përditshme për të arritur në shkollë, punë apo qytete të tjera