Ndalohet rreth tre orë infermierja nga Kosova në pikën kufitare serbe

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

08 qershor 2025

Infermierja shqiptare Linda Fetahu-Krivanjeva është ndaluar për tri orë nga policia kufitare serbe teksa po kthehej me familjen e saj nga Kosova drejt Luginës së Preshevës.

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Nevzad Lutfiu, e ka cilësuar këtë veprim si një formë të hapur frikësimi.

Sipas Lutfiu, ndalimi ka ndodhur në kufi dhe përfshinte marrjen në pyetje të Fetahu-Krivanjevës nga zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Ai theksoi se infermierja është mbajtur për tri orë dhe ka qenë subjekt i presionit për shkak të angazhimit të saj publik në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Luginë

Linda Fetahu-Krivanjeva, bija krenare e vendit tonë, infermierja që dikur u kujdes për ushtarët e lirisë dhe gjithmonë ka ngritur zërin për të drejtat e shqiptarëve të Luginës, u ndalua për tri orë në kufi nga policia serbe,” shkroi Lutfiu në Facebook.

Tutje paralajmëroi se raste të tilla mund të përsëriten, duke theksuar se ndalimi i saj është pjesë e një serie presionesh ndaj aktivistëve dhe qytetarëve shqiptarë në Luginë të Preshevës.

Vetë Linda Fetahu-Krivanjeva ka reaguar pas ngjarjes, duke e cilësuar ndalimin si presion të vazhdueshëm nga autoritetet serbe

Scroll to Top