Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
01 qershor 2025
Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për dhënien me qira të 300 qelive në Qendrën Korrektuese të Gjilanit, e nënshkruar në vitin 2022 dhe e ratifikuar në maj të vitit të kaluar nga Kuvendi i Kosovës, po vazhdon të ngjallë shqetësime për mungesë transparence.
Organizatat për të drejtat e njeriut dhe monitoruesit e institucioneve korrektuese theksojnë se nuk është bërë e ditur ende se ku do të transferohen rreth 200 të paraburgosur që aktualisht ndodhen në këtë qendër.
Në raportin e fundit të Amnesty International për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, marrëveshja me Danimarkën kritikohet për konsultimet e kufizuara publike dhe mungesën e hapësirës së mjaftueshme në burgjet vendore.
Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës thotë se mungesa e debatit publik rreth kësaj marrëveshjeje përbën problem serioz. “Nuk ka asnjë informacion se në cilat qendra do të transferohen të paraburgosurit nga Gjilani,” u shpreh ajo..
Edhe Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behgjet Shala, ka kundërshtuar marrëveshjen që nga fillimi, duke theksuar shqetësimet e familjarëve nëse të burgosurit do të dërgohen në qendra të largëta.
Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk ka dhënë ende ndonjë përgjigje lidhur me këtë çështje.

















