Mundësia për një fillim të ri: Si ndihmat financiare po transformojnë jetën e grave të dhunuara

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

25 nentor 2025

Që nga korriku i vitit të kaluar, Vjollca ka ndryshuar dukshëm pamjen dhe jetën e saj. Përveç dukjes më të shëndoshë dhe flokëve të rregulluara, ajo tregon se ndryshimi më i madh është buzëqeshja që më parë i mungonte.

“Prej dhunës kam arritur në qetësi shpirtërore. Më është dukur sikur kam lindur për së dyti. Të largohesha nga një ambient toksik dhe të vija në një ambient të qetë… nuk e kisha besuar se mund të ndodhë,” rrëfen Vjollca për Radion Evropa e Lirë.

Ajo kishte përjetuar dhunë fizike dhe psikike për më shumë se 15 vjet nga ish-bashkëshorti dhe familjarët e tij. Edhe pas raportimit të dhunës, Vjollca ishte e detyruar të kthehej në shtëpinë e ish-bashkëshortit, pa punë, me vetëm shkollë fillore të përfunduar dhe pa ndonjë pronë personale, duke e bërë të pamundur jetesën e pavarur.

Vitin e kaluar, Vjollca mori mundësinë të aplikonte për ndihmë financiare në Komunën e Prishtinës, që i lejoi të paguante qiranë dhe disa shpenzime të tjera ndërsa kërkonte punë.

“I kam mbushur të gjitha dokumentet dhe mora ndihmën. Në fillim nuk më besohej, s’e kuptoja si ia arrita, pasi nuk kisha pasur kurrë para në dorë. Kisha frikë, por tani po ia dal disi,” thotë ajo.

Sot, Vjollca punon dy vende pune – si shitëse në dyqan dhe pastruese shtëpish – dhe përballon jetesën e saj dhe të vajzës së vogël. Për të katër fëmijët e tjerë kujdeset babai i tyre.

Gjatë vitit të kaluar, bashkë me Vjollcën, edhe 22 gra të tjera përfituan nga ndihmat financiare të Komunës së Prishtinës për të mbijetuarit e dhunës në familje. Ndihmat, që arrijnë deri në 500 euro në muaj, përfshijnë qiranë, ndihmë financiare dhe mbështetje për fëmijë, dhe u ofrohen vetëm banorëve të Prishtinës që raportojnë dhunën dhe kanë urdhër mbrojtjeje nga dhunuesi.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelinë Sahiti, thotë se shumë gra tashmë kanë filluar jetë të re, duke u pavarësuar dhe duke mos u detyruar të kthehen te dhunuesit.

“Përmes kurseve të ndryshme për aftësim profesional, shpresojmë që përfituesit e ndihmës financiare të fitojnë pavarësi ekonomike edhe pas përfundimit të periudhës së ndihmës,” shton Sahiti.

Ndihmat u ofrohen për një periudhë nga gjashtë muaj deri në dy vjet, duke u dhënë mundësi grave të rikthehen gradualisht në një jetë të pavarur dhe të sigurt.

Scroll to Top