Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
11 qershor 2025
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, ka thënë se po ndjek me vëmendje të shtuar zhvillimet rreth arrestimit të Arbnor (Fatmir) Spahiut, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Spahiu u arrestua më 7 qershor 2025 nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, teksa po udhëtonte me autobus së bashku me familjen e tij, duke u kthyer nga Austria.
MPJD thotë se “më 9 qershor, rreth orës 20:00, ai doli para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Suboticë, ku iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Aktualisht, z. Spahiu ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë”.
“Sipas deklarimeve të familjarëve dhe avokatit mbrojtës, akuzat e ngritura ndaj z. Spahiu kanë të bëjnë me rastin e Banjskës. Ata i konsiderojnë këto akuza tërësisht të pabazuara dhe të fabrikuara, duke theksuar se z. Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga viti 2022 dhe prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me familjen e tij”, ka thënë MPJD.
Më tej, kjo ministri thotë se Ambasadori i Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, bashkë me avokatin e angazhuar nga familjarët e Spahiut, Arianit Koci, “do të udhëtojnë nesër, më 11 qershor, në Suboticë, ku do të takohen me avokatin e dytë të caktuar sipas detyrës zyrtare”.
MPJD shton se përveç kësaj, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dorëzuar menjëherë kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së Ambasadorit Jashari tek Spahiu në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë.
“Vizita pritet të realizohet në ditët në vijim, sapo të miratohet nga autoritetet përkatëse”, deklaroi MPJD.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka thënë se “ka njoftuar për rastin misionet diplomatike të vendeve te Quint-it të akredituara në Beograd, dhe të gjithë Trupin diplomatik në Kosovë”.