Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
10 mars 2025
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se kjo javë parashihet të jetë me mot të ndryshueshëm, ndërsa temperaturat do të mbeten pothuajse të njëjta me ato të javës që shkoi.
Sipas IHMK-së, sot moti do të jetë me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -3 deri në -1° C, ndërsa ato maksimale nga 16° deri në 21° C.
Do të fryjë erë nga juglindja me shpejtësi 1-4 m/s.
Ndërkaq gjatë ditëve e mërkurë dhe e enjte pritet të ketë reshje të lehta shiu në disa zona.
“Kushtet biometeorologjike do të jenë të favorshme, duke mos paraqitur ndikime të theksuara për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Po ashtu, kushtet agrometeorologjike do të jenë të përshtatshme për zhvillimin e kulturave bujqësore”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
IHMK-ja shton se reshjet e parashikuara do të jenë të mirëseardhura për bujqësinë, duke ndihmuar në rritjen e lagështisë së tokës.
“Kjo periudhë është e përshtatshme për fermerët që të shpërndajnë plehun artificial në parcelat e tyre, sidomos për kulturat e grurit dhe ato pranverore”, thuhet në njoftim.

















